EMRAT/ Aksident i rëndë në Peshkopi, 27 vjeçari i dehur përplas me makinë efektivin

Një aksident është regjistruar sot në Peshkopi ku një 27 vjeçar ka humbur kontrollin e mjetit që drejtonte dhe është përplasur me një dyqan

Si pasojë e aksidentit, është dëmtuar një punonjës policie në shërbim, i cili ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve.

Policia njofton se nga verifikimet paraprake ka rezultuar se drejtuesi i automjetit Alban Shoti  ishte nën efektin e alkoolit dhe është shoqëruar në komisariat për veprime të mëtejshme procedurale.

Sa i takon efektivit Veli Gjura, ai ishte në shërbim për mbarëvajtjen e qarkullimit pasi në orën 19:00 kryetari i opozitës shqiptare Sali Berisha kishte mitingun përmbyllës në Peshkopi.

“Sot, rreth orës 18:30, në kryqëzimin Velia, në Peshkopi, shtetasi A.Sh., 27 vjeç, duke drejtuar një automjet tip “Golf”, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e mjetit dhe mjeti ka dalë nga rruga duke u përplasur me një dyqan. Si pasojë e aksidentit, është dëmtuar shtetasi V.Gj., (punonjës policie në shërbim) i cili ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve.

Nga verifikimet paraprake ka rezultuar se drejtuesi i automjetit ishte nën efektin e alkoolit dhe është shoqëruar në komisariat për veprime të mëtejshme procedurale. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për të zbardhur rrethanat e aksidentit”, sipas njoftimit zyrtar të policisë.