Emigrimi përpara arsimimit, përse po largohen të rinjtë shqiptarë

Dita e parë e vitit të ri akademik nxori edhe më shumë në pah plagën e vjetër të Shqipërisë, largimin e të rinjve jashtë vendit për mundësi ekonomike më të mira.

20 mijë studentë u ulën për herë të parë në auditore, por po 20 mijë më pak studentë janë në universitete në krahasim me vitin e kaluar. Numri i studentëve ka ardhur duke u ulur vit pas viti, aq sa disa degë po rrezikojnë të mbyllen për shkak se nuk ka asnjë aplikim.

Por pse të rinjtë shqiptarë zgjedhin rrugën e emigrimit përpara asaj të arsimit?

Pamundësia ekonomike është shkaku kryesor i largimit të të rinjve, të cilët detyrohen të emigrojnë për të siguruar të ardhura të mjaftueshme për të mbajtur familjet e tyre, pasi mundësitë që Shqipëria ofron për punësim janë shumë të pakta.

Por edhe nëse kanë mundësi punësimi, paga që të ofrojnë subjektet private janë shumë më të ulëta në krahasim me vendet e tjera, ndërkohë që për të gjetur një punë në administratën shtetërore, duhet edhe të kesh mik të fortë, të japësh ryshfet apo të jesh militant partie, përndryshe punësimi në shtet është një mision pothuajse i pamundur.

Ndërkohë, jetesa për studentët e rretheve që studiojnë në Tiranë apo qytete të tjera po bëhet gjithmonë edhe më e vështirë. Rritja e çmimit të qirave, ushqimeve, rrobave apo edhe çmimet e larta të librave i ka detyruar ata që krahas studimeve, të punojnë me kohë të pjesshme, për të mos i rënduar ehde më shumë familjet e tyre.

Përsa i përket disa degëve të Universitetit Bujqësor, por edhe degës së mësuesisë, përpjekja e qeverisë për të afruar sa më shumë studentë duke u dhënë rrogë minimale çdo muaj duket se po dështon. Mungesa e tregut të punës ka bërë që studentët të mos u drejtohen këtyre degëve, por të largohen nga vendi.

Ndërsa e kundërta ndodh me degën e Mjekësisë, kuotat e të cilës janë plotësuar të gjitha, por ligji i i i qeverisë që i detyron të sapodiplomuarit të punojnë 5 vite në Shqiëpri përpara se të marrin diplomën ka ngritur në këmbë studentët. Dita e parë nuk ka qenë ditë studimi, por proteste, teksa duket se protestat do të vijojnë gjatë sepse qeveria nuk ka ndërmend të heqë dorë nga ky ligj.

Pra, emigrimi është kthyer në një mundësi më të mirë për të rinjtë sesa arsimimi në vendin e tyre, pasi vetëm në këtë mënyrë do të kenë mundësi të krijojnë dhe mbajnë familjet, mundësi që në Shqipërinë e sotme vështirë se gjenden.