Pas një shpenzimi rekord prej mbi 290 milionë dollarësh për të mbështetur kandidaturën e Donald Trump dhe disa gara kyçe në Kongres gjatë zgjedhjeve të vitit 2024, Elon Musk ka deklaruar se do të tërhiqet nga angazhimi i drejtpërdrejtë në politikë.
“Në lidhje me shpenzimet politike, do të bëj shumë më pak në të ardhmen,” u shpreh Musk gjatë Forumit Ekonomik në Katar përballë gazetares së Bloomberg, Mishal Husain. I pyetur për arsyet, ai tha se nuk sheh ndonjë nevojë të menjëhershme për të ndërhyrë financiarisht në skenën politike. “Mendoj se kam bërë mjaft. Nëse në të ardhmen shfaqet ndonjë arsye, do të ndërhyj. Aktualisht nuk shoh asnjë të tillë,” shtoi miliarderi.
Përveç mbështetjes ndaj Trump dhe kandidatëve republikanë, Musk ka investuar më shumë se 20 milionë dollarë edhe në një garë për Gjykatën Supreme të Wisconsin, ku kandidati i mbështetur prej tij humbi. Ai më herët kishte premtuar një angazhim financiar prej 100 milionë dollarësh në grupet politike të kontrolluara nga Trump.
Megjithatë, nuk është e qartë nëse komentet e Musk sinjalizojnë një ndryshim në këtë premtim. Një përfaqësues politik i Musk nuk pranoi të komentojë.
Largimi nga qeveria, rikthimi te Tesla
Pas disa muajsh si këshilltar kryesor në Shtëpinë e Bardhë dhe drejtues i Departamentit për Efiçencën Qeveritare (DOGE), Musk po tërhiqet nga angazhimi me kohë të plotë në qeveri për t’u fokusuar sërish te kompanitë e tij, përfshirë Teslën, e cila ka hasur vështirësi, pjesërisht si pasojë e lidhjes së tij me administratën Trump.
Gjithsesi, Musk nuk është shkëputur plotësisht nga Uashingtoni. Ai ka deklaruar se do të vazhdojë të merret një apo dy ditë në javë me çështjet e DOGE dhe se këtë javë do të darkojë me Trump dhe do të zhvillojë takime me disa sekretarë të kabinetit.
Duke iu përgjigjur shqetësimeve për konflikt interesi, Musk theksoi: “Nuk kam pushtet formal. Presidenti mund të zgjedhë ta pranojë apo jo këshillën time. Nëse ndonjë kontratë për ndonjë prej kompanive të mia është dhënë në mënyrë të padrejtë, kjo do të bëhej menjëherë lajm në faqet e para.”
Starlink, Afrika e Jugut dhe tensionet në intervistë
Një pjesë e intervistës së Husain me Musk u fokusua edhe në përpjekjet e disa vendeve për të lejuar operimin e satelitëve Starlink, një përpjekje që, sipas gazetarit, lidhet me afërsinë politike të Musk me administratën Trump. Husain përmendi raportimet se Afrika e Jugut po shqyrton lejen për Starlink përpara vizitës së presidentit Ramaphosa në Shtëpinë e Bardhë.
Musk, i cili ka lindur dhe është rritur në Afrikën e Jugut, e quajti vendimin për të mos lejuar Starlink si diskriminim racor ndaj të bardhëve, një pretendim që autoritetet e Afrikës së Jugut e kanë mohuar.
Debati me gazetaren u tensionua, kur Musk e akuzoi atë se mbështet ligje “raciste” dhe i kërkoi disa herë përgjigje të drejtpërdrejta, ndërsa Husain përpiqej të mbante intervistën në rrjedhën e saj. Në një moment, Musk e pyeti me nervozizëm: “Pse të pëlqejnë ligjet raciste?”
Kritikë ndaj shtypit dhe “pyetje si në video-lojë”
Intervista me Mishal Husain ishte një nga herët e rralla kur Musk përballet me pyetje kritike në një transmetim të drejtpërdrejtë. Pasi është shfaqur kryesisht në media të favorshme si Fox News apo podkaste miqësore, përballja me Husain nxori në pah tensione të shumta.
Kur u pyet për objektivin e DOGE për të kursyer 2 trilionë dollarë deri në korrik të vitit të ardhshëm, Musk iu përgjigj se “ishte si të flisje me një personazh video-loje që përsërit të njëjtat fraza”.