Një 58-vjeçar është ekzekutuar me armë zjarri, mëngjesin e kësaj të diele, në qytetin e Vlorës. Sipas policisë, viktima është identifikuar si Renato Hoxhaj.
Ai punonte roje në një objekt, që është në proces ndërtimi. Mediat raportojnë se Hoxhaj është qëlluar disa metra larg shtëpisë së tij, e cila ishte shumë afër pallatit ku ai punonte.
“Rreth orës 06:00, në lagjen “Hajro Çakërri”, në rrugë, në afërsi të banesës së tij, është gjetur pa shenja jete, dyshohet i vrarë me armë zjarri, Renato Hoxhaj 58 vjeç, i cili ishte i punësuar dhe si roje në një objekt në ndërtim pranë banesës së tij. Është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë intensivisht hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe sigurimin e provave, me qëllim dokumentimin ligjor të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.”, njofton policia.
Nga të dhënat e para, rezulton se 58-vjeçari është vrarë me armë zjarri pistoletë. Ndaj tij janë shkrepur tre plumba, ku dy e kanë kapur në kokë dhe një në gjoks. Ai nuk rezulton person me precedent penal.