Ekzekutimi i Gilmando Danit në Rinas, hetimet shtrihen në Spanjë! Në vendngjarje gjenden mbi 80 gëzhoja

Vrasja e Gilmando Danit, krahut të djathtë të Emiljano Shullazit, dhe plagosja e agjentit të APM-së Muçi Shaljani është ende pa autor.

Mësohet se policia shqiptare ka kërkuar informacione nga autoritetet spanjolle për lëvizjet e Danit dhe Sheljanit, të cilët qëndruan për 4 ditë në Barcelonë, ndërsa sapo u kthyen në Shqipëri, ranë pre e atentatit në afërsi të Rinasit.

Megjithatë, deri tani autoritetet spanjolle nuk i kanë kthyer përgjigje policisë shqiptare.

Hetuesit kanë dyshime të forta se planifikimi dhe organizimi i atentatit ka nisur që nga Barcelona. Po ashtu Gilmando Dani është ndjekur prej disa kohësh nga autorët, të cilët e kanë pritur sa të kthehej nga Spanja për të kryer vrasjen.

Sipas ekspertizës paraprake nga morgu i Tiranës, Gilmando Dani ka marrë 20 plumba në trup, ndërsa në vendngjarje janë gjetur mbi 80 gëzhoja.

Që pas atentatit, policia ka kryer kontrolle në disa zona të ndryshme, Tiranë, Kamëz, Nikël dhe Fushë-Krujë. Po ashtu janë shoqëruar të paktën 15 persona, kryesisht familjarë të viktimës dhe të plagosurit.

Ky i fundit, i cili ishtë bërë pjesë e AMP-së në muajin shtator ndodhet në gjendje kritike në spital, për shkak për plumbave që ka marrë.