Eljon Hato është i dyshuari kryesor për vrasjen e Gentian Bejtjas, ngjarje e ndodhur pasditen e djeshme në banesën e ish-policit të burgjeve.
Bejtja u qëllua në oborrin e banesës së tij në Larushk të Fushë Krujës, teksa ishte duke punuar jashtë saj. Në momentin që ndaj tij u qëllua me kallashnikov ai tentoi të futej në serën që ndodhej aty. Megjithatë pavarësisht tentativës së tij, Bejtja u qëllua për vdekje. Sakaq dyshohet se në ngjarjen e rëndë kanë marrë pjesë disa persona.
Ndërkohë mesohet se pak para orës 16:25 kur ka ndodhur ngjarja nuk ka pasur drita në zonë. Hetuesit bëjnë me dije që kamerat tregojnë momente para dhe pas ngjarjes, por nuk është filmuar momenti i vrasjes.
Sa i takon Eljon Hatos, ai është një emër i njohur për drejtësinë shqiptare.
Eljon Hato është në kërkim nga SPAK si pjesë e dosjes “Metamorfoza”. Hato, mik me Ervis Martinajn mbeti i plagosur në përplasjen me armë në tetor të vitit 2018 në zonën e ish-Bllokut në kryeqytet, ku u vra Fabiol Gaxha.
Ai është skeduar për krime të rënda si atentate të ndodhura në Tiranë, Lezhë e Shkodër.
Dy muaj më parë, me dhjetëra forca të RENEA-s dhe FNSH-së u angazhuan për të kapur Eljon Haton ndërsa ushtruan kontrolle në banesën dy katëshe të vëllait të tij Grudë të Shkodrës, por operacioni policor përfundoi pa sukses.