Ekzekutimi i 58-vjeçarit në Vlorë/ Kamerat e sigurisë fiksuan autorin, bashkëjetuesja: I dëgjova të shtënat, mendova se ishin fishekzjarre

Vrasja e 58-vjeçarit Renato Hoxhaj një ditë më parë në Vlorë është ende pa autor. Policia mësohet se ka marrë në pyetje disa persona, mes tyre bashkëjetuesen dhe familjarë dhë të afërm të viktimës.

Ata kanë pohuar për grupin hetimor se Hoxhaj nuk ka pasur konflikte me askënd dhe ishte një njeri pa probleme.

Raportohet se në krim ka marrë pjesë vetëm një person. Një prej kamerave të sigurisë ka arritur të filmojë autorin e kamufluar me kapele dhe mbuluar me shall për të mos zbuluar fytyrën. 

Sipas informacioneve nga policia në vendngjarje janë gjetur 4 gëzhoja të goditura nga një armë tip pistolete 9 mm. Viktima ka marrë dy plumba në kokë dhe dy në trup.

Ndërkohë bashkëjetuesja e viktimës është shprehur se nuk di që 58-vjeçari të ketë pasur konflikte. Ajo ka theksuar se ka dëgjuar të shtënat, por duke menduar se ishin fishekzjarre.

58-vjeçari ishte i divorcuar prej vitesh dhe kishte dy fëmijë të rritur. Ai punonte si roje objekti ndërkohë që u vra sapo po kthej nga puna në banesën e tij rreth orës 06:00 të mëngjesit të së dielës.