Edhe Babagjyshi “dorëzohet” përballë temperaturave ekstreme

Lapland, vendi i përjetshëm i dimrit dhe shtëpia e Babagjyshit, po përballet me një valë të pazakontë të nxehti, duke shënuar temperaturat më të larta që nga fillimi i matjeve meteorologjike në vitin 1961. Për të 14-ën ditë radhazi, në Finlandë është regjistruar një temperaturë mbi 30°C, diçka e paprecedentë për këtë vend nordik.

Në qytetin Rovaniemi, brenda Rrethit Arktik, temperaturat po qëndrojnë rreth 30°C për ditë me radhë, dhe kjo ka ndikuar jo vetëm në jetën e banorëve, por edhe në simbolin më të dashur të dimrit, vetë Babagjyshin.

Babagjyshi ka zgjedhur të qëndrojë brenda gjatë ditës dhe del për not në liqen vetëm pas orës 18:00, kur temperatura fillon të bjerë.

Sipas Institutit Meteorologjik të Finlandës, vala e të nxehtit ka thyer rekorde në disa pika matjeje në veri të vendit. Në qytetet Ylitornio dhe Sodankylä është regjistruar temperatura maksimale prej 31.7°C, rreth 10 gradë mbi mesataren sezonale për këtë rajon.

Meteorologu Jaakko Savela shpjegon se këto temperatura janë jashtëzakonisht të rralla për Laplandën. “Herën e fundit që patëm një valë kaq të gjatë të nxehti në Lapland ishte në vitin 1972, por ajo zgjati vetëm 12 deri në 14 ditë, këtë herë rekordi është thyer.”

Valët e të nxehtit nuk po ndikojnë vetëm te njerëzit, por edhe kafshët simbol të rajonit, drerët. Këto kafshë, të njohura si tërheqësit e sajës së Babagjyshit gjatë Krishtlindjeve, po përpiqen të shpëtojnë nga vapa dhe mushkonjat, të cilat janë shumuar ndjeshëm. Disa prej tyre kanë filluar të lëvizin drejt fshatrave dhe rrugëve për të gjetur freski.

Lapland është zakonisht një destinacion turistik i freskët, por këtë verë turistët janë të befasuar dhe të papërgatitur.

Shkencëtarët janë të qartë: valë të tilla të të nxehtit në Arktik do të bëhen më të shpeshta dhe më intensive si pasojë e ndryshimeve klimatike. Ajo që po përjeton sot Laplanda mund të jetë një “pamje paraprake” e së ardhmes në shumë rajone të botës.