Vijojnë prej më shumë se 48 orësh kërkimet për 29 vjeçarin Ardit Beshiri, i cili ishte duke punuar me ekskavator kur një masiv i madh dheu e zuri poshtë në fabrikën e përpunimit të Kromit.
I riu dyshohet të jetë rrëmbyer nga rrjedha e fortë që u krijua si pasojë e shembjes së rezervuarit me ujë dhe rërës së prodhuar nga përpunimi i materialit të kromit.
Por teksa kërkimet po vijojnë pa rezultat, babai i 29 vjeçarit, Nerim Beshiri u bën apel institucioneve që të shtojnë kërkimet me metoda të specializuara pasi kërkimet në këmbë janë të paefektshme për shkak të terrenit të thepisur malor dhe materialit që është shpërndarë kudo.
“Kërkoj ndihmë nga shteti, t’i gjej njërin gisht dhe ta çoj te shtëpia, te familja se nuk ka gjë më të madhe në botë të humbësh djalin. I bëj thirrje shtetit të sjellin aparatura, qen të specializuar, mjete, të gjej djalin e ta çoj te shtëpia, të di ku të hedh një tufë lule. Ka tre ditë që vijmë kërkojmë këtu me lopatë, nuk ka asnjë lloj mjeti. Po patët mundësi, ndihmoni si shtet”, thotë ai mes lotësh.
Kujtojmë se një ditë më parë policia arrestoi drejtuesin teknik të shoqërisë për shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë, Ademir Lala.
“Në përfundim të veprimeve të para hetimore të kryera në lidhje me ngjarjen e djeshme në Qafën e Burrelit, në fabrikën e përpunimit të kromit, ku shtetasi A.B., 29 vjeç, duke punuar me mjetin fadromë, u zu poshtë nga një masiv rëre dhe minerali, dhe për pasojë ende nuk është gjetur, Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Postës së Policisë Klos arrestuan në flagrancë shtetasin A.L., 44 vjeç, banues në Klos, me detyrë drejtues teknik i shoqërisë, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.