Qytetarët shqiptarë do të duhen të presin edhe 5 vite të tjera që të furnizohen 24 orë me ujë të pijshëm. Pavarësisht se qeveria Rama ndodhet në pushtet prej 12 vitesh dhe përtej premtimeve që ka bërë, shqiptarët vuajnë ende mungesën e ujit në shtëpitë e tyre.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku, gjatë prezantimit të Operatorit Kombëtar të Ujit krah kryeministrit Edi Rama dha “lajmin e madh” se për pesë vite do të ketë furnizim me ujë në të gjithë Shqipërinë.
“Do të doja të kujtohesha edhe njëherë. Furnizimi me ujë të pijshëm 24 orë në 2013 ishte vetëm në 4 zona urbane të cilët i përmendëm.
Ndërkohë sot në vitin 2025 kemi 43 zona urbane të furnizuara 24 orë me ujë dhe kemi 13 kantiere në zona urbane, të cilat janë drejt përfundimit duke e çuar këtë numër 56 zona urbane me 24 orë ujë furnizim.
Ndërkohë që në 2013 kishim zero zona rurale me furnizim 24 orë, sot kemi 98 zona me furnizim 24 orë dhe nga ana tjetër kemi 45 kantiere, të cilat janë duke u ndërtuar apo drejt përfundimit.
Na mbeten 16 zona urbane deri në 2030-ën për të përfunduar të gjithë këtë proces të gjatë dhe sfidues për ne. Këto janë shifra që flasin vetë”- tha sot Ministrja Balluku.
Premtime për ujin kemi dëgjuar shpesh nga qeveria e Ramës, i cili edhe gjatë fushatës së 2021-it tha se do t’u siguronte qytetarëve furnizim 24 orë më uje të pijshëm.
Vitet kalojnë, premtimet zhbëhen ndërsa pasojat i vuajnë qytetarët shqiptarë, për të cilët mesa duket uji vijon të mbetet luks. Këtë e tregoi edhe situata që u krijua këtë verë në shumë zona të vendit ku qyetarët, por edhe turistët u përballën me mungesën e ujit në çezma,
Banorët denoncuan se prej ditësh nuk kanë mundur të sigurojnë ujë për konsum, duke shtuar vështirësitë për jetesën e përditshme.
Ndërkohë edhe pse Rama ka thënë se nuk i pëlqen që të bëjë fushatë me ujin, kjo deklaratë e tij thotë të kundërtën. Ja se çfarë thoshte kryeministri në vitin 2013, vitin e parë kur ai mori pushtetitn.
“Unë nuk kam folur shumë për ujin e pijshëm e dini pse nuk kam folur? Sepse më vjen turp. Më vjen turp me një histori 20 vjet sa herë ka fushatë do ju japim ujë 24 orë. Pas 20 vitesh prapë ujë nuk ka dhe tetë vjet në pushtet të isha në vendin e tij (Berishës) do kisha ikur, do kisha thënë me falni nuk arrita dot, bëra sa munda po meqë nuk ju solla dot ujë unë nuk e meritoj…”.
Por ende sot, pas 12 vitesh në pushtet, ai vijon ende me premtimin për ujë 24 orë, që do të duhet të presim deri në 2030-ën që të furnizohet i gjithë vendi.