E qëlloi me automatik në oborrin e shtëpisë, identifikohet autori i vrasjes së 57 vjeçarit në Lezhë

Është identifikuar autori i vrasjes së Pjetës Kazës, ngjarja e ndodhur një ditë më parë në fshatin Tale të Lezhës.

Policia njofton se nga hetimet intensive dyshohet se shtetasi G.A ka qëlluar me armë në drejtim të Kazës, teksa ky i fundit po zbriste nga makina për të hapur portën e banesës së tij. Megjithatë policia është treguar e rezervuar mbi arsyet për shkak të hetimeve që vijojnë ende. Ndërkohë po punohet për kapjen e autorit të dyshuar.

Kjo ngjarje vjen një vit pas një tjetër atentati ndaj familjes Kaza. Një vit më parë, viktimës i vranë vëllanë e tij, në Bruksel. Më 6 maj 2024, Agustin Kaza, u qëllua me breshëri në një kafene në komunën Schaarbeek të Brukselit. Edhe pas një viti, ngjarja është ende pa autor.

Njoftimi i policisë:

Lezhë

Vijojnë veprimet e thelluara hetimore për zbardhjen dhe dokumentimin e autorësisë së vrasjes së 57-vjecarit, në fshatin Tale.

Si rezultat i hetimeve intensive, provave të mbledhura në vendin e ngjarjes dhe bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, grupi hetimor ka identifikuar dhe shpallur në kërkim 1 shtetas të dyshuar si autor të vrasjes së 57-vjeçarit.

Nga hetimi intensiv dyshohet se shtetasi G. A. (për shkak të hetimeve nuk bëjmë me dije të dhëna të tjera) ka qëlluar me armë zjarri automatike në drejtim të shtetasit P. K., në momentin që ai kishte zbritur nga makina për të hapur portën e banesës, për të hyrë në banesë. Si pasojë e dëmtimeve, 57-vjeçari P. K. ka humbur jetën në vendin e ngjarjes.

Grupi i posaçëm hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për dokumentimin e plotë ligjor të rrethanave të kësaj ngjarjeje.

Ndërkohë, shërbimet policore vijojnë kontrollet në terren, për kapjen e autorit të dyshuar të shpallur në kërkim për këtë rast.