E ngarkuara me Punë e SHBA takohet me gjyqtarët e Kushtetueses, diskutime për transparencën e institucionit

Trupa e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, ka zhvilluar sot një takim me të Ngarkuarën me Punë të Ambasadës së SHBA në Shqipëri, Nancy VanHorn.

Gjatë takimit, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese Holta Zaçaj përmendi disa prej hapave të ndërmarrë në lidhje me transparencën dhe informimin e publikut për veprimtarinë e institucionit të Gjykatës Kushtetuese, me qëllim jo vetëm rritjen e reputacionit dhe kredibilitetit të këtij institucioni, por edhe bërjen të kuptueshme nga publiku i gjerë të vendimeve të saj.

Gjatë kësaj periudhe janë miratuar Rregullorja e Marrëdhënieve të Gjykatës Kushtetuese me Median, është bërë kreditimi i gazetarëve që ndjekin veprimtarinë e Gjykatës duke organizuar edhe konferenca interaktive për shtyp, si dhe ndjekja në Live Stream e seancave gjyqësore publike.

Në vijim, duke theksuar rolin e rëndësishëm që luan Gjykata Kushtetuese, si një prej institucioneve më të larta në hierarkinë shtetërore, si dhe rëndësinë që mbart paanshmëria dhe integriteti i gjyqtarëve në përmbushjen si duhet të misionit të saj Kushtetues, palët në takim shprehën angazhimin për gjetjen e mekanizmave të mbështetjes dhe bashkëpunimit për rritjen e kapaciteteve dhe përmirësimin e infrastrukturës, në funksion të rritjes së pavarësisë institucionale, garantimit të mbrojtjes së të drejtave dhe lirive themelore të individit, forcimit të demokracisë dhe shtetit të së drejtës.