E konfirmon Balluku: Uji i Tragjasit do shkojë te resortet në Dhërmi e Palasë, do i bindim ne banorët

Banorët e Tragjasit duket se do të “dorëzohen” për burimin e ujit të fshatit të tyre, dhe do të pranojnë që ai ujë të furnizojë edhe resortet luksoze në Palasë dhe Dhërmi.

Kjo është deklarata që bëri ditën e sotme zv.kryeministrja Belinda Balluku, e cila në konferencën me kryeministrin Rama përmendi edhe rastin e burimit të ujit të Tragjasit, të cilin pronarët e resorteve luksoze kërkuan ta marrin me dhunë, por banorët u bënë bahskë dhe nuk e lejuan që kjo të ndodhte.

Balluku u shpreh se qeveria do t’i bindë banorët e Tragjasit se ai burim ka ujë mjaftueshëm që të furnizojë edhe një pjesë të Rivierës jugore, më saktësisht resortet në Dhërmi e Palasë, që këtë vit u përballën me mungesë të ujit.

Sipas zv.kryeministres, burimi i Tragjasit ka një kaptazh prej 1270 litra ujë në sekondë në një vit të thatë siç është ky vit, që do të thotë se ka mjaftueshëm për të furnizuar edhe resortet luksoze, teksa investimi do të bëhet nga qeveria shqiptare.

“Do të sjell një rast që na ka shqetësuar mjaftueshëm, duke nisur nga Janari 2025 deri më sot, që ka të bëjë me një burim ujor në zonën e Tragjasit, i cili i parashikuar nga inxhinierët e AKUK, duhet të jetë një nga burimet që duhet të furnizojë një pjesë të mirë të Rivierës jugore, por që banorët e zonës e refuzojnë marrjen e këtyre sasive të ujit për të furnizuar zonën Dhërmi-Palasës.

Kemi diskutuar dhe kemi vendosur t’i bindim, por duke krijuar një problem në operime, duke monitoruar burimin e Tragjasit, për t’i treguar atyre që edhe ai burim që ata mendojnë se duke furnizuar një pjesë të Rivierës, do të ngeli fshati pa ujë, nuk është e vërtetë pasi Shqipëria është e pasur në burime ujore dhe ne aty kemi një kaptazh prej 1270 litra ujë në sekondë në një vit të thatë siç është ky vit që po kalojmë”, u shpreh Balluku.

Kujtojmë se kësaj çështje i kushtoi një artikull edhe prestigjiozja “The Sunday Times”, që tregonte se si disa punëtorë të biznesmenit Samir Mane kishin shkuar në Tragjas për të të nisur punën për një tub që do të sillte ujë nga burimi lokal drejt Green Coast.

Lexo edhe: The Times: Tragjasi sfidon Samir Manen, si biznesmeni po tenton të marrë me forcë burimin e ujit