E pushoi nga puna, 48-vjeçari dhunon drejtorin e Ujësjellësit në Kavajë

Një 48 vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Kavajës pasi ka kërcënuar dhe dhunuar drejtorin e Ujësjellës-Kanalizimeve, pas ndërprerjes së kontratës së punës në këtë ndërmarrje.

I arrestuari është Altin Allajbej, i cili siç njofton policia, përveçse e ka goditur me grusht drejtorin Oltion Dautin, e ka kanosur nëpërmjet mesazheve dhe thirrjeve telefonike.

Pas marrjes së informacionit, Policia ndërhyri menjëherë duke e arrestuar autorin në flagrancë. Materialet e rastit i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore. 

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë arrestuan në flagrancë shtetasin A. A., 48 vjeç, banues në Kavajë, pasi dyshohet se për shkak të ndërprerjes së kontratës së punës në Ujësjellës-Kanalizime Kavajë, ka goditur me grusht, drejtorin e institucionit, shtetasin O. D., të cilin gjithashtu e ka kanosur nëpërmjet mesazheve dhe thirrjeve telefonike”, njoftoi sot policia.