E akuzuar për lidhje me Suel Çelën dhe grupin “Çopja”, ish-gjyqtarja Pajtime Fetahu mbetet në burg

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar rrëzoi kërkesën e ish-gjyqtares së Elbasanit, Pajtime Fetahu, për ndryshimin e masës së sigurisë.

Ajo prentendonte në kërkesën e dorëzuar nga avokati, deklarimin e humbjes së fuqisë së paraburgimit.

Por pas shqyrtimit të fakteve dhe rrethanave, gjyqtari Erjon Çela vendosi t’i rrëzojë pretendimet e Fetahut dhe kjo e fundit do vijojë të qëndrojë në burg.

Ish-gjyqtarja Pajtime Fetahu mbahet prej nëntorit të 2024 në Burgun e Grave në Pogradec. Ajo u prangos pas një urdhër-arresti që u lëshua nga SPAK, mbi hetimet për Suel Çelën dhe anëtarët e grupit të tij në Elbasan.

Prokuroria e Posaçme e akuzon Fetahun se i ka favorizuar dhe ka pasur komunikime, prova këto të zbuluara këto nga përgjimet e platformës së koduar SKY ECC.

Por këto nuk janë raste të izoluara. Emri i ish-gjyqtares doli sërish në operacionin e SPAK, “Plumbi i Artë 2”, për grupet kriminale, ku u lëshuan mbi 30 urdhër-arreste.

SPAK ka dyshime të arsyeshme, që Fetahu ka marrë 11 mijë euro, një monedhë floriri dhe ndërkohë priste edhe një aparat celular nga anëtarë të grupit kriminal të vëllezërve “Çopja”.