Dy të rinj nga Fieri janë arrestuar pasi kanë mashtruar dhe dhunuar një refugjat pakistanez.
Nazo Sulaj dhe Elvis Çobo janë arrestuar pasi akuzohen për mashtrim dhe rrahje brutale ndaj të riut nga Pakistani. Ata e morën emigrantin nga Gjirokastra me premtimin se do ta çonin në Shkodër, por rrugës e dhunuan, e vodhën dhe e lanë të lënduar në Fier.
Emigranti mori ndihmë mjekësore dhe është jashtë rrezikut për jetën. Policia ka identifikuar dhe arrestuar autorët dhe ka dorëzuar materialet përkatëse në Prokurori për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i policisë:
Shërbimet e Policisë pas njoftimit të marrë nga spitali rajonal i Fierit, se ishte paraqitur për të marrë mjekim, 1 shtetas i huaj, i dhunuar, menjëherë kanë organizuar punën për zbardhjen e këtij rasti.
Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore, të kryera është bërë e mundur që brenda pak orësh, të zbardhej dinamika e ngjarjes, identifikimi, kapja dhe arrestimi i autorëve të dyshuar, Nazo Sulaj, 21 vjeç, banues në Mallakastër dhe Elvis Çobo, 26 vjeç, banues në Fier.
Këta 2 shtetas dyshohet se kanë marrë në automjet nga Gjirokastra, 1 emigrant nga Pakistani duke e mashtruar se do ta transportonin në Shkodër, për të kaluar ilegalisht kufirin me Malin e Zi. Më pas ata e dhunuan, i morën paratë dhe e zbritën në rrugë në Fier.
Shtetasi nga Pakistani ka marrë asistencë mjekësore dhe është jashtë rrezikut për jetën. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.