Drejtoresha e Përgjithshme në Detyrë e OLAF-it, Salla Saastamoinen, i ka shkuar në zyrë kreut të SPAK, Altin Dumanit, ku theksi i diskutimeve ishte mbi bashkëpunimin në hetimin e rasteve që përfshijnë keqpërdorim të mundshëm të fondeve të BE-së.
SPAK së bashku me OLAF po hetojnë grabitjen e mbi 33 milionë eurove të fondeve të programit IPARD II, që ishin dhënë për fermerët, por u shpërndanë te miqtë e pushtetit, të cilët ndërtuan vila e resorte në bregdet.
Në qendër të hetimeve qëndron ish-ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca, e cila ishte drejtoreshë e AZHBR-së në kohën kur fondet e IPARD u shpërndanë te zv.ministra, kryebashkiakëve, ish-deputetëve e persona të tjerë të lidhur me Partinë Socialiste.
“Një takim me Altin Dumanin, Kryeprokurorin e zyrës së pavarur të prokurorisë së Shqipërisë, Strukturës Speciale kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), u përqendrua në bashkëpunimin në hetimin e rasteve që përfshijnë keqpërdorim të mundshëm të fondeve të BE-së. Bashkëpunimi midis OLAF dhe SPAK është duke u rritur, me OLAF që ofron ekspertizë për të mbështetur SPAK në hetimin e rasteve komplekse të mashtrimit. Të dy institucionet mirëpritën progresin e kohëve të fundit dhe riafirmuan angazhimin e tyre për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit operacional”, deklaron OLAF.
Ndërkohë, prej dy vitesh Shqipërisë i janë bllokuar fondet e IPARD III, të cilat do të mbeten të bllokuara deri në momentin që do të vihen para drejtësisë personat që abuzuan me IPARD II.
“Bashkimi Evropian është i gatshëm të vazhdojë të mbështesë fermerët shqiptarë, sektorin agroushqimor dhe zonat rurale në të ardhmen, me kusht që interesat financiare të Bashkimit Evropian të mbrohen siç duhet”, deklaroi një zyrtar i Komisionit Europian disa muaj më parë.
Për Komisionin Europian, Shqipëria duhet ta marrë seriozisht këtë çështje, pasi bëhet fjalë për paratë e taksapaguesve të Bashkimit Europian.
“Duke qenë se kemi të bëjmë me paratë e taksapaguesve të BE-së, presim që autoritetet shqiptare ta marrin shumë seriozisht këtë çështje”, thotë KE.
Sot bujqësia shqiptare është në pikën e saj më të ulët, për shkak të mbështetjes shumë të vogël nga Ministria e Bujqësisë, por edhe nga mungesa e fondeve që vijnë nga Bashkimi Europian. Premtimi i kryeministrit Rama për 1 miliard euro eksporte është një ëndërr që vështirë se do të bëhet realitet gjatë kohës që ai do të jetë në pushtet.