Drejtonte grupin kriminal në Spanjë, Gjykata e Lartë liron nga burgu Kreshnik Farrukun

Gjykata e Lartë ka prishur vendimin e gjykatës së Apelit për Kreshnik Farrukun duke e liruar nga burgu.

Trupa gjykuese e përbërë nga Ilir Panda, Sokol Binaj dhe Sandër Simoni ka lënë në fuqi vendimin e gjykatës së Durrësit që i caktoi masën e sigurimit “arrest në shtëpi” për qëllime ekstradimi drejt Italisë.

Farruku u arrestua më 11 janar 2025 nga forcat RENEA në Manzë, Durrës, me urdhër të SPAK-ut dhe në bashkëpunim me Prokurorinë e Firences, për qëllime ekstradimi në Itali.

Në Dhjetor të 2024-ës, me vendim të Gjykatës së Posaçme u sekuestruan 27 pasuri në pronësi të Kreshnik Farrukut dhe vëllait të tij. Pasuritë e konfiskuara përfshijnë toka bujqësore, apartamente, automjete luksoze dhe biznese.

Vendimi për konfiskimin e tyre erdhi pas dyshimeve se këto pasuri janë përfituar nga aktivitete kriminale, duke përfshirë trafikimin e drogës dhe pastrimin e parave.

Kreshnik Farruku ishte në krye të një grupi kriminal, i cili u godit në Spanjë në vitin 2023 pas një megaoperacion kundër trafikut të kokainës. Kreshnik Farruku njihet si shqiptari që përdori 10 emra për t’i shpëtuar policisë dhe drejtësisë.