Prej vitesh, punonjëset e fasonerive në të gjithë vendin përballen me probleme të shumta, duke filluar nga kushtet e punës, oraret e stërzgjatura dhe deri te pagat minimale.
Pavarësisht këtyre problemeve, ato kanë vendosur të mos e lënë punën, pasi për disa është e vetmja e mundësi për të ushqyer familjen. Por gjithmonë e më shumë në Shqipëri po shtohen rastet kur sipërmarrësit e fasonerive, sidomos të huajt që vijnë e bëjnë biznes në vendin tonë, i lënë punonjëset disa muaj pa paguar dhe më pas ikin drejt vendeve të tyre, teksa drejtësia ka harruar të veprojë mbi ta.
I tillë është edhe rasti i ish-punonjësve të fabrikës “Ozgun Kan Albania” në Fier, të cilat kanë 2 paga pa marrë, ndërkohë që pavarësisht denoncimit, nuk kanë asnjë informacion se çfarë prokuroria po bën për çështjen e tyre. Kallëzimi penal ndaj pronarëve të fasonerisë është bërë dy muaj më parë dhe përmes tij punëtorët kërkojnë të shtrëngojnë kompaninë që t’u shlyej detyrimet.
“Ne na thirrën përpara dy muajve për të dëshmuar dhe që atëherë nuk kemi asnjë informacion nga prokuroria për pronarin e fasonerisë dhe hetimin”, tha një nga protestueset, të cilat ishin mbledhur dje përpara Prokurorisë.
Por këto punonjëse nuk janë të vetmet, pasi ka me dhjetëra raste kur sipërmarrësit i lënë pa paguar dhe më pas zhduken, duke i lënë jo vetëm pa punë, por edhe me borxhe për shkak të pagave të prapambetura.
Ndërkohë, drejtësia duket se nuk ekziston për këta shtetas, të cilët vijojnë të pasurohen në Shqiëpri në kurriz të qytetarëve shqiptarë.