Dosja “Ura”/ Bisedat e Ervis Doçit dhe gëzimi i madh i italianit për cilësinë e kokainës: O nëna ime, çfarë copash!

Zbardhen përgjimet mes anëtarëve të trafikut të drogës në lidhje me operacionin e “Ura”, operacion ky i finalizuar pas disa vitesh hetime në bashkëpunim mes autoriteteve shqiptare dhe atyre italiane.

Në dosjen e SPAK, renditen ato episode, të cilat dokumentojnë trafikun ndërkombëtar të drogës nga anëtarët e një grupi të rëndësishëm kriminal në Shqipëri.

Në një episod del në skenë i shumëkërkuari Ervis Doçi, i njohur si Visi i Pojës. Sipas SPAK, Doçi trafikon tetë kilogramë kokainë nga Gjermania në Itali, pas porosisë, që i bën Adi Çoba.

Në bisedat e zbërthyera nga aplikacioni SKY ECC, Çoba bie dakord me çmimin që ka vendosur Ervis Doçi, duke pranuar se malli që do t’i dërgohet ishte i cilësisë “premium”.

Pritësi i kësaj sasi kokaine thuhet në dosje është një shtetas italian i idetifikuar si Angelo Zanzarelli. Ai shfaqet i lumturuar nga furnitorët për cilësinë e mallit, ndërsa këtë gëzim e shpreh me habi të madhe.

“Ohoho, nëna ime, çfarë copash, si tha shoku, ahaha, si akull, ahaha…”.,, thekson ai.

Sipas SPAK, sasia e kokainës është dërguar nga Gjermania në Itali në gusht të vitit 2020 dhe bisedat përfshijnë drejtpërdrejt të akuzuarit në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike.

Nga operacioni i përbashkët i SPAK me Prokurorinë e Barit u caktuan 52 urdhër arreste, nga të cilat janë ekzekutuar 42.

Kryetari i SPAK, Altin Dumani, në konferencën që mbajti për mediat bashkë me homologët italianë u shpreh se nga ky operacion ishte goditur një prej grupeve më të rrezikshme, i cili vepronte në Shqipëri.