Në Gjykatën e Apelit të Posaçëm u mbajt seanca e radhës në kuadër të hetimeve të dosjes “Plumbi i Artë”. Në fokus të kësaj seanca ishte dëshmia e bashkëpunëtorit të drejtësisë Erion Alibej, i akuzuar si drejtues i një organizate kriminale që vepronte në Elbasan dhe i përfshirë në disa vrasje.
Ai rrëfeu para trupës gjykuese përpjekjet e tij për të eliminuar fizikisht personat që ai dyshonte si të përfshirë në vrasjen e vëllait të tij Endrit Alibej, në ngjarjen e njohur si “Masakra e Bradasheshit”.
Bashkëpunëtori i drejtësisë rrëfeu komunikimet në platformën Sky ECC me Plarent Dervishaj, si dhe kodet që ky i fundit përdorte në rrjetin e enkriptuar.
“Në Sky ECC më shkruante Plarent Dervishi. Kam pasur kontakt me të. Ai kishte kodet ‘Barcelona’ dhe ‘Gost’. Më tha: ‘Mbohet qefi që e ke gjet Talo Çelën’. U habita si e dinte, por më pas u kujtova që Plarenti kishte shumë muhabet me Festim Qolin”, tha ai.
Ai pohoi se për vrasjen e Dorian Shkozës kishte paguar 100 mijë euro. Armët sic tha ai shin blerë te një hoxhë në Tiranë, përmes ndërmjetësimit të Sandër Bahos. Sipas dëshmisë, një automjet Toyota i vjedhur, blerë në Shijak, u përdor për atentatin dhe iu dorëzua Dumanit bashkë me armët. Alibej tregoi se për të fituar besimin e Dumanit, i kishte dhënë atij edhe 150 mijë euro.
“Ja dhashë makinën dhe armët te pazari i Rrogozhinës, ishte me Klevis Allën kur i mori. Më pas, Nuredini kërkoi dhe 50 mijë euro. Ia çova me një mikun tim. Ia dhashë gjithsej 150 mijë euro, që të shikonte që kisha lek dhe të kishte besim”, u shpreh ai.
Mediat raportojnë se në lidhje me vrasjen e vëllezërve Haxhia, Alibej deklaroi se i kishte dhënë dy kallashnikovë dhe një pistoletë Dumanit. Plani fillestar, sipas tij, ishte për të vrarë Altin Ndocin dhe Besmir Haxhinë, por viktimë e paplanifikuar mbeti edhe Viktori. Ai sqaroi se kishte marrë vesh për identitetin e viktimave nga lajmet televizive dhe se më pas kishte komunikuar me Dumanin për detajet e atentatit.
“I thashë Nuredinit pse kishte shenja gjaku në makinë. Më tha: kemi qëlluar me xhama mbyll dhe nga ciflat është lënduar ‘Kusho’. Më pas u shoqërua ‘Nipi’ në polici dhe Nuredini më tha: ‘Më duket se ky po flet’. E mori vesh nga komshinjtë, nga ‘Miri Pojes’, që e kishte mik”, theksoi ai.