Dosja “Partizani”/ Zvarritet prej disa muajsh gjyqi ndaj Sali Berishës, seanca e radhës pas zgjedhjeve të 11 Majit

Është shtyre sërish seanca paraprake në GJKKO lidhur me dosjen “Partizani” ku ish-kryeministri Sali Berisha akuzohet nga SPAK për korrupsion. Mësohet se seanca e radhës është caktuar për më datë 19 maj, 8 ditë pas zgjedhjeve parlamentare.

Në seancën e sotme do të vendosej nëse çështja do të kalonte apo jo për gjykim, por ky proces po zvarritet prej 7 muajsh, kohë kur SPAK mbylli hetimet.

Kujtojmë se në lidhje me privatizimin e ish-kompleksit sportiv “Partizani” janë nën hetim 5 persona, mes tyre:

Sali Berisha, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal;

Jamarbër Malltezi, akuzuar për kryerjen e veprave “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 287 paragrafi i dytë i Kodit Penal;

Fatmir Bektashi, akuzuar për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal dhe “Pastrimi të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 287 paragrafi i dytë i Kodit Penal;

Xhimi Begeja, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 287 paragrafi i dytë i Kodit Penal;

Andia Pustina, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim, gjatë ushtrimit të një veprimtarie profesionale, parashikuar nga neni 287 paragrafi i dytë i Kodit Penal;