Dosja “Partizani”/ Caktohet trupa gjykuese për ish-kryeministrin Sali Berisha dhe të tjerët

Gjyqtarja e Gjykatës së Posaçme Elsa Ulliri do të kryesojë trupën gjykuese për dosjen e njohur si “Partizani”.

Shorti u hodh sot në Gjykatën e Posaçme, ku rahas kryesueses së trupës, janë zgjedhur edhe edhe dy anëtarët e trupës gjykuese. Ata janë Bib Ndreca dhe Rudina Palloj.

Sipas ligjit, treshja e gjyqtarëve më pas do të duhet të përcaktojë brenda 10 ditësh, datën e seancës së parë të gjyqit në themel.

SPAK ka marrë të pandehur ish-kryeministrin Sali Berisha, dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi dhe 3 bashkëpunëtorët e tyre.

Akuzat nga SPAK

Ish-kryeministri demokrat, Sali Berisha akuzohet për veprën penale “korrupsion pasiv” në lidhje me privatizimin e kompleksit “Partizani”.

Sipas SPAK, Berisha ka përdorur postin e kryeministrit të vendit për të favorizuar pasurimin e familjes, përmes dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi.

Dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi, i cili ndodhet me masë sigurie “arrest shtëpie” akuzohet nga SPAK për korrupsion pasiv dhe pastrim parash.

Në këtë çështje janë përfshirë edhe biznesmeni Fatmir Bektashi, i cili akuzohet për korrupsion aktiv dhe pastrim parash; Xhimi Begeja, ortak i Malltezit dhe trashëgimtar i tokës ku ndodhej ish-kompleksi “Partizani”, i akuzuar për pastrim parash; si dhe Andia Pustina, financiere e kompanisë “Homeplan”, e dyshuar për kryerjen e operacioneve financiare dhe ligjore që lidhen me pastrimin e parave.

Në gjyq janë dërguar edhe tre kompanitë si “Kontakt”, “Homeplan” dhe “Studio Pustina”, të cilat akuzohen për veprën penale “pastrim parash”.