Dosja “Partizani”/ Berisha në SPAK për masën e sigurisë, sulmon Dumanin: Je shërbëtor i Ramës

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha është paraqitur këtë të hënë në SPAK në zbatim të masës “detyrim paraqitjeje” për çështjen e njohur si “Partizani”.

Seanca e mëparshme, më 24 prill, u shty pasi avokatët e Berishës, Jamarbër Malltezit dhe Andia Pustinës kërkuan përjashtimin e gjyqtares Fjorela Davidhi duke e cilësuar si të njëanshme.

Më 28 prill nga GJKKO hodhi poshtë kërkesën e mbrojtjes, duke konfirmuar vijimin e procesit nga e njëjta gjyqtare. 

Duke folur për mediat, Berisha sulmoi drejtuesin e SPAK, Altin Dumanin duke i thënë se është “shërbëtor” i kryeministrit Edi Rama.

“Fytyrën e shëmtuar kriminale të eksponentëve të kësaj drejtësie të Ramës, dua të informoj se lashë këtë shënim në zyrat e SPAK-it të partisë. Amnistia elektorale është krim i shëmtuar antikushtetues i Altin Dumanit, i shërbëtorit të Ramës, i cili ndaj dhe kërkon të shndërrojë kushtetutën në Duman kushtetutë.”, tha Berisha.

Gjithashtu, kryedemokrati publikoi një dukoment dhe sulmoi gjyqtaren Irena Gjoka, e cila sipas tij, rezluton e dënuar për falsifikim në Greqi.

“Irena Gjoka është dënuar për falsifikim dhe është dënuar nga Kolegj Penal dhe jo Administrativ, është turpi i turpit të Ulsi Manjës.Dokumenti nga Gjykata e Janinës në Greqi tregon që ajo është dënuar me 3 muaj burg dhe gjobë 1500 euro”, theksoi Berisha.

Po ashtu, në orën 11:30, pritet të zhvillohet edhe seanca paraprake në Gjykatën e Posaçme për kalimin ose jo të kësaj dosje.