Dosja CEZ-DIA dhe lobimi në SHBA, SPAK mbyll hetimet për Ilir Metën dhe Monika Kryemadhin! Sot u komunikohen akuzat

SPAK ka mbyllur hetimet për kreun e Partisë së Lirisë, Ilir Meta dhe Monika Kryemadhin për dosjen CEZ-DIA dhe atë të lobimit të LSI në SHBA. Raportohet se ditën e sotme, SPAK pritet t’u komunikojë zyrtarisht akuzat Metës dhe Kryemadhit.

Meta ndodhet në burg që prej tetorit të vitit të kaluar ndërsa ndaj ish-bashkëshortes së tij është caktuar “detyrim paraqitje”. Ndaj tyre rëndojnë tre akuza: korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie.

Sipas SPAK, Ilir Meta në kohën që mbante detyën e ministrit të Ekonomisë ndikoi për lidhjen e kontratës CEZ-DIA, në këmbim të parave.

Nga hetimet e Prokurorisë së Posaçme, Meta duke shfrytëzuar pushtetin e tij ka ndërhyrë në procesin e përzgjedhjes së DIA-s për të kryer shërbimet e mbledhjes së borxheve të CEZ-it, pavarësisht se shoqëria nuk përmbushte të gjitha kriteret ligjore dhe profesionale për të menaxhuar detyrime të kësaj natyre.

Ndërkohë ka kërkuar dhe ka pranuar shume të konsiderueshme parash nga Kastriot Islamaj, asokohe administrator i kompanisë DIA.

Ndërkohë Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi kanë hyrë në një marrëdhënie korruptive me biznesmenin S.M duke përfituar një vilë si shpërblim.

Po ashtu, përgjatë periudhës 2016-2017, Meta me cilësinë e Kryetarit të Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, ka lidhur dhe ekzekutuar kontrata për shërbimi konsulence dhe lobimi me kompanitë Global Security and Inovative Solution LLC dhe  Grupi McKeon Inc në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.