Dosja “5D”/ Shtyhet gjyqi ndaj drejtorëve të Bashkisë Tiranë, mbrojtja kërkesë: Pse u refuzua gjykimi i shkurtuar?

GJKKO ka shtyrë për më 19 maj gjyqin ndaj tre drejtorëve të Bashkisë së Tiranës Redi Molla, Mariglen Qato, Taulant Tushe dhe të pandehurve të tjerë në lidhje me dosjen “5D”. Shkak për shtyrjen e seancës u bë mungesa e një prej avokatëve të të pandehurve. Ndërkohë disa nga mbrojtësit ligjorë i kërkuan gjykatës t’ju vërë në dispozicion vendimin e arsyetuar për refuzimin e gjykimit të shkurtuar. 

Ish-drejtorët, Redi Molla dhe Mariglen Qato do të gjykohen në këtë proces për tre vepra penale, përkatësisht për korrupsion pasiv, mosdeklarim pasurie dhe pastrim parash. Kurse Taulant Tushe, Nestor Muhametllari, Albano Janku, Julian Zanaj dhe Enton Punavia do të gjykohen për shkelje të barazisë në tendera.

Ish-zyrtarët e Bashkisë teksa mbanin pozicionin e drejtuesit të Ujësjellësit Kanalizimeve në Bashkinë e Tiranës apo të IMT kanë qenë pronarë de facto të shoqërisë “5D Construction Shpk”. Nga hetimet ka rezultuar që nga viti 2016 deri në vitin 2020 kjo kompani ka përfituar 12 tendera nga UKT, pra pjesë e Bashkisë së Tiranës, Tirana Parking dhe Klubi Sportiv SHA.