Dosja “5D”/ Gjykata shpall fajtorë 4 të pandehur, por nuk do bëjnë asnjë ditë burg

Gjykata e Posaçme ka dhënë vendimet për fraksionin e dytë të dosjes “5D” në Bashkinë e Tiranës të akuzuar për  “shkelje të barazisë në tendera”.

GJKKO ka dënuar me 1 vit burg drejtoreshën e klubit sportiv Tirana, Deborah Keçi, dënim që i ulet në 8 muaj burg. Megjithatë ajo nuk do të qëndrojë në qeli pasi GJKKO vendosi pezullimin e dënimit të saj me burg dhe vënien e saj në 16 muaj shërbim prove. Po ashtu i është hequr e drejta për të ushtruar funksione publike për 5 vite.

GJKKO ka dënuar me 9 muaj burg secilin anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave Teuta Guri, Renaldo Gjerazi dhe Jetjon Mera. Të tre përfitojnë nga gjykimi i shkurtuar dhe dënimi iu ulet ne 6 muaj burg. Në fund GJKKO vendosi që dënimi të konvertohet në 60 orë punë në interes publik.

Nga hetimet e kryera është provuar fakti se e pandehura Deborah Keçi në cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor “Klubi Sportiv Tirana”, institucion në varësi të Bashkisë Tiranë, në bashkëpunim me të pandehurit Teuta Guri, Jetjon Mera dhe Rejnaldo Gjerazi, në cilësinë e anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave kanë krijuar për operatorin ekonomik “5D Konstruksion” sh.p.k avantazhe dhe privilegje të padrejta në procedurën e prokurimit me objekt “Rikonstruksion Palestra e Mundjes” të zhvilluar në datën 09.12.2020.

Nga provat e mbledhura gjatë hetimeve, është provuar fakti se e pandehura Deborah Keçi, në cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor është dakortësuar me përfaqësuesin e operatorit ekonomik “V.A.S Konstruksion” sh.p.k për ta shpallur fitues të procedurës së prokurimit që në fazën e përgatitjes së dokumenteve, ende pa u shpallur procedura.

Të pandehurit Teuta Guri, Jetjon Mera dhe Rejnaldo Gjerazi, në cilësinë e anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, nuk kanë ushtruar në përputhje me ligjin detyrën e tyre për vlerësimin dhe klasifikimin e ofertave, por kanë vlerësuar dhe klasifikuar në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik operatorin ekonomik “5D Konstruksion” sh.p.k, i cili ka qënë i paracaktuar për tu shpallur fitues nga e pandehura Deborah Keçi.