Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se do të udhëzojë qeverinë të publikojë dosje të klasifikuara lidhur me UFO-t dhe jetën jashtëtokësore, në përgjigje të rritjes së interesit publik për këtë çështje pas komenteve të paraardhësit të tij në Shtëpinë e Bardhë.
Trump njoftoi në rrjetet sociale të enjten se do të drejtojë Departamentin e Mbrojtjes dhe agjenci të tjera federale që të nisin procesin e identifikimit dhe publikimit të dokumenteve që kanë të bëjnë me jetën aliene, fenomenet ajrore të paidentifikuara (UAP) dhe objektet fluturuese të paidentifikuara (UFO).
“Bazuar në interesin e jashtëzakonshëm të treguar, do të udhëzoj Sekretarin e Luftës dhe departamentet e agjencitë përkatëse që të fillojnë procesin e identifikimit dhe publikimit të dosjeve qeveritare që lidhen me jetën aliene dhe jashtëtokësore, fenomenet ajrore të paidentifikuara (UAP), objektet fluturuese të paidentifikuara (UFO) si dhe çdo informacion tjetër të lidhur me këto çështje shumë komplekse, por jashtëzakonisht interesante dhe të rëndësishme”, shkroi Trump.
Deklarata e tij erdhi pak ditë pasi ish-presidenti Barack Obama, në një intervistë, u shpreh se alienët janë “realë”, por theksoi se ai vetë nuk kishte parë prova të drejtpërdrejta.
I pyetur për ekzistencën e jetës jashtëtokësore, Obama tha se alienët janë “realë, por unë nuk i kam parë”, duke hedhur poshtë teoritë konspirative për një bazë sekrete në Nevada ku pretendohet se mbahet një formë jete jashtëtokësore.
“Ata nuk mbahen në Area 51. Nuk ka ndonjë strukturë nëntokësore, përveç nëse ekziston një komplot i madh dhe e kanë fshehur nga presidenti i Shteteve të Bashkuara”, tha Obama në një intervistë për podcast-in e drejtuar nga Brian Tyler Cohen.
Më vonë, Obama sqaroi në rrjetet sociale se kishte dashur të nënkuptonte se “universi është aq i madh sa gjasat janë të mira që të ketë jetë diku tjetër”, duke ritheksuar se gjatë presidencës së tij “nuk kishte parë asnjë provë që jashtëtokësorët kanë kontaktuar me ne”.
Trump kritikoi komentet e Obamës, duke u thënë gazetarëve se ai beson se ish-presidenti mund të ketë zbuluar gabimisht informacione të klasifikuara.
Çështja e kontaktit të mundshëm të SHBA-së me UFO-t ka qenë shpesh objekt i teorive konspirative. Debati u rikthye në qendër të vëmendjes në vitin 2021, pas një raporti të publikuar nga Office of the Director of National Intelligence, i cili dokumentonte dhjetëra raste që nga viti 2004 ku pilotë të Marinës amerikane kishin hasur fenomene ajrore të pashpjeguara.
Raporti u bë më pas fokusi kryesor i një seance dëgjimore në vitin 2022 në Dhomën e Përfaqësuesve, ku u paraqitën video të deklasifikuara dhe përshkrime të këtyre incidenteve.