Donald Trump dhe Presidenti kinez Xi zhvillojnë bisedë telefonike mbi tregtinë

Presidenti amerikan Donald Trump ka zhvilluar një bisedë të gjatë dhe të shumëpritur telefonike me presidentin kinez Xi Jinping, në një moment kur tensionet mes dy ekonomive më të mëdha në botë janë rritur ndjeshëm për shkak të politikave tregtare.

Tensionet mes dy vendeve janë përshkallëzuar që prej arritjes së një armëpushimi 90-ditor muajin e kaluar, që ndaloi përkohësisht rritjen e ndërsjellë të tarifave. Trump akuzoi javën e kaluar Kinën se ka “shkelur” marrëveshjen, një akuzë që Pekini e ka mohuar, duke pretenduar se janë pikërisht veprimet e SHBA-së ato që kanë “minuar seriozisht” konsensusin e arritur.

Zyrtarë amerikanë kishin sinjalizuar ditët e fundit se një telefonatë mes dy liderëve mund të shërbente si katalizator për rifillimin e negociatave tregtare, të cilat kishin ngecur pas bisedimeve të para të zhvilluara në Gjenevë.

Sipas raportimeve të CNN, zyrtarët kinezë ishin hezitantë për një bisedë telefonike me Trump, për shkak të natyrës së tij të paparashikueshme dhe rasteve të mëparshme kur ai kishte vendosur liderë të huaj në situata të sikletshme, siç ndodhi me presidentin e Ukrainës Zelensky dhe atë të Afrikës së Jugut, Ramaphosa. Kjo ka bërë që Pekini të kërkojë shmangien e çdo incidenti të ngjashëm, qoftë edhe në një bisedë private.

Megjithatë, Trump e konsideron arritjen e një marrëveshjeje të re tregtare me Kinën si një pikë kyçe të agjendës së tij ekonomike dhe një objektiv për të korrigjuar marrëveshjet e ndërprera gjatë mandatit të tij të parë, për shkak të pandemisë së Covid-19.

Dy liderët kishin komunikuar për herë të fundit më 17 janar, pak ditë para inaugurimit të Trump, ndërsa raportet e tyre janë karakterizuar nga përplasjet e vazhdueshme përtej çështjeve tregtare.

Pas takimeve në Gjenevë muajin e kaluar, SHBA priste që Kina të lehtësonte kufizimet për eksportin e mineraleve të rralla, të nevojshme për prodhimin e pajisjeve teknologjike dhe armëve të avancuara, të vendosura në prill si kundërpërgjigje ndaj tarifave të reja të SHBA-së. Por këto kufizime nuk janë hequr, duke shkaktuar pakënaqësi të thellë në administratën Trump dhe nxitur masa të reja kundër Kinës.

Ndërkohë, Pekini ka reaguar ashpër ndaj paralajmërimeve të Uashingtonit për kompanitë që përdorin çipa AI nga gjiganti teknologjik Huawei, vendimeve për kufizimin e shitjeve të teknologjisë kritike ndaj Kinës, si dhe njoftimeve për anulimin agresiv të vizave për studentët kinezë me lidhje me Partinë Komuniste ose që studiojnë në fusha të ndjeshme.