DOKUMENTI I SPAK/ Skemë e njëjtë me inceneratorët, Arben Ahmetaj i dha ish-fabrikën e bukës mikut të tij, përgjimet e nxjerrin zbuluar

Ditar.al ka zbardhur akuzën e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) ndaj ish-ministrit Arben Ahmetaj për privatizimin e ish-fabrikës së bukës, e cila i ka sjellë shtetit një dëm prej 7 miliardë lekësh.

SPAK thotë se Ahmetaj dhe biznesmeni Lirim Fezollari kanë pasur marëdhënie përtej komunikimit institucional, nga e cila ky i fundit ka arritur të privatizojë aksionet e shoqërisë aksionere “Buka Sh.a”. Këto aksione shtetërore të pronës u transferuan me firmë të Ahmetajt, teksa paraardhësi i tij Shkëlqim Cani e kishte refuzuar.

Prona në fjalë i është njohur prej vitit 1994 nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, familjes Myderzi. Por përmes një procedure ankandi të hapur në 2014, përfitues i aksioneve shtetërore të kompanisë është bërë biznesmeni Lirim Fezollari. Ky i fundit përmes disa procedurave ankandesh, në kohë të ndryshme ka arritur ta marr pronen.

“Komunikimet e mbajtura nga i pandehuri Arben Ahmetaj, duke përdorur numrin telefonik celular vërtetohen dhe nga përgjimi elektronik di dhe nga tabulatet, çka krijon bindjen e plotë që i pandehuri Arben Ahmetaj, Ministër i Financave dhe Ekonomisë (në kohën e kryerjes së veprës penale) veprimet i ka kryer me dashje për të arritur qëllimin e tij duke shpërdoruar detyrën si dhe duke i sjellë përfitime materiale shtetasit Lirim Fezollari, në dëm të trashëgimtarëve të familjes Myderizi”, thuhet ndër të tjera në dosjen e SPAK, raporton Media Ditari.

Privatizimi i kësaj fabrikë është pothuajse i njëjtë me aferën e inceneratorëve, pasi edhe në atë rast, rezultoi ish-ministri kishte njohje të vjetra me Klodian Zoton dhe Mirel Mërtirin, pronarët e djegësave, të cilët janë shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Në një reagim të pak orëve më parë, Ahmetaj hodhi poshtë akuzat e ngritura ndaj tij, teksa në reagim theksonte se falë asaj marrëveshje aksionet e shtetit shqiptar ishin trefishuar.

Më poshtë dokumenti i SPAK, ku akuzohet Arben Ahmetaj: