Nga Riccardo Piccolo “wired.it”
Pragu që ushtria e presidentit Vladimir Putin të përdorë armët bërthamore taktike, është më i ulët se sa ka pranuar ndonjëherë publikisht Rusia. Sipas dokumenteve ushtarake ruse, të zbuluara së fundmi nga britanikja “Financial Times”, forcat e armatosura të Moskës nuk përjashtojnë përdorimin e armëve bërthamore taktike në fazat e hershme të një konflikti hipotetik me një fuqi të madhe botërore.
Dokumentet përshkruajnë gjithashtu skenarët e trajnimit, në përgatitje për t’iu kundërvënë një pushtimi të mundshëm nga Kina. E gjithë dosja mbi këtë çështje përfshin 29 dokumente sekrete ushtarake, të shkruara midis viteve 2008-2014.
Ato ilustrojnë jo vetëm skenarë të simuluar të luftës, por edhe prezantime të detajuara për oficerët e marinës në lidhje me përdorimin e armëve bërthamore në situata të ndryshme. Pavarësisht vjetërsisë së dokumenteve, ekspertët besojnë se ato janë ende të rëndësishme dhe pasqyrojnë strategjinë aktuale ushtarake të Rusisë, veçanërisht në kuadër të ngjarjeve në Ukrainë gjatë 2 viteve të fundit.
Doktrina ushtarake e Moskës
Vitin e kaluar, Vladimir Putin deklaroi se doktrina bërthamore ruse parashikonte dy pragje të mundshme për përdorimin e armëve bërthamore taktike:hakmarrjen ndaj një sulmit të parë bërthamor nga një vend armik, ose rastin kur “kërcënohet vetë ekzistenca e Rusisë si shtet,
qoftë edhe vetëm përmes armëve tradicionale jo bërthamore”.
Megjithatë, kriteret që mund të nxisin një përgjigje bërthamore të Rusisë, siç mund të mësohet nga këto dokumente sekrete tashmë të dekonspiruara, do të ishin shumë më të ulëta nga sa është menduar deri më sot.
Dhe ato variojnë nga ndërhyrja në territorin rus deri tek dëmet specifike, si për shembull shkatërrimi në masën 20 për qind i flotës strategjike të nëndetëseve ruse, apo i 30 për qind të nëndetëseve të saj sulmuese me energji bërthamore, i 3 apo më shumë kryqëzorëve, i 3 aeroporteve, apo një goditje e njëkohshme në qendrat kryesore dhe komandat rezervë në zonat bregdetare.
Armët bërthamore taktike ruse, janë të programuara për një përdorim specifik në fushën e betejës në Evropë dhe Azi, dhe mund të lëshohen nëpërmjet raketave me bazë tokësore, detare ose ajrore. Pavarësisht se konsiderohen “taktike”, këto armë mund të gjenerojnë ende një sasi energjie shkatërruese të madhe, duke tejkaluar edhe bombat atomike të hedhura në Nagasaki dhe Hiroshima në vitin 1945.
Frika e madhe dhe mbrojtja ndaj Kinës
Pavarësisht traktateve të paqes dhe marrëveshjeve të shumta ekonomike me Kinën, sidomos pas fillimit të konfliktit në Ukrainë, Rusia vazhdoi ta forcojë mbrojtjen e kufijve të saj lindorë. Ëilliam Alberque, drejtor i strategjisë, teknologjisë dhe kontrollit të armëve në Institutin Ndërkombëtar për Studime Strategjike dhe një ish-analist i NATO-s, tha për Financial Times:”Rusia po përmirëson dhe po vë në gatishmëri të lartë raketat e saj bërthamore në Lindjen e Largët, afër kufirit me Kinën. Shumë prej këtyre sistemeve janë projektuar ekskluzivisht për të reaguar ndaj sulmeve të mundshme nga Kina”.
Në fakt, midis qershorit dhe nëntorit të vitit të kaluar, u raportua për disa stërvitje ushtarake në dy rajone në kufi me Kinën, që përfshinë edhe përdorimin e raketave “Iskander”, që kanë aftësinë për të bartur edhe armët bërthamore. Alberque thotë se Rusia është shumë e shqetësuar, se Kina mund të përpiqet të përfitojë nga fakti që Moska është e zënë kryesisht në përballjen e saj me Perëndimin “për të dëbuar rusët nga Azia Qendrore”.
Edhe pse vetëm presidenti Putin e ka në dorë nisjen ose jo të një sulmi bërthamor parandalues, pragu i ulët për përdorimin e armëve bërthamore taktike të treguar në dokumentet e zbuluara, pasqyron atë që disa analistë perëndimorë e quajnë si doktrinën ushtarake të “përshkallëzimit për të arritur tek de-përshkallëzimi”.
Në këtë strategji, përshkallëzimi bërthamor përdoret si një mjet për t’i dhënë fund një konflikti duke e frikësuar armikun, por pa rritur më tej intensitetin e luftimeve. “Synimi është të de-përshkallëzohet situata, duke treguar aftësi dhe superioritet në armët bërthamore, dhe duke shkaktuar kësisoj një reagim psikologjik tek armiku, duke e bërë konfliktin të perceptohet si shumë i kushtueshëm për të vazhduar “- shpjegon Buletini i Shkencëtarëve Atomikë.
Prandaj, qëllimi nuk është shkatërrimi, por nxitja e kundërshtarit që t’i japë fund konfliktit. Strategjia është sa e guximshme dhe e përmbajtur, megjithatë analistët tregojnë edhe kufizimet e saj kryesore:”Meqë qëllimi i deklaruar i armëve bërthamore, është të pengojnë një sulm bërthamor, kur një vend i nënshtrohet një sulmi bërthamor – qoftë edhe të kufizuar – atëherë ka rënë i gjithë ky mekanizëm parandalues. Dhe kjo e dobëson shumë parandalimin e një lufte bërthamore në shkallë të gjerë në të ardhmen”.