Dita e katërt e konfliktit Izrael-Palestinë, gjenden 1500 trupa të ushtarëve të Hamasit në rripin e Gazës

Konflikti Izrael-Palestinë hyn në ditën e katërt, ndërsa e gjithë vëmendja e komunitetit ndërkombëtar është kthyer nga lufta që shpërtheu papritur.

“Që prej Holokaustit asnjëherë nuk janë vrarë kaq shumë hebrenj brenda një dite”, ka deklaruar presidenti i Izraelit  Isaac Herzog, në një thirrje për ndërkombëtarët, të cilëve u kërkon që ta etiketojnë Hamasin si organizatë terroriste.

Ndërkohë numri i vdekjeve izraelite vazhdon të rritet dhe ka arritur në 900, ndërsa 2500 të tjerë janë plagosur, shumë prej tyre në gjendje të rëndë. Mediat ndërkombëtare bëjnë të ditur se janë 750 persona të zhdukur dhe të paktën 100 pengje në duart e Hamasit. Mes tyre ka amerikanë dhe gjermanë dhe oficerë të ushtrisë izraelite.

Hamasi nga ana tjetër tha se pengjet civile do të ekzekutoheshin një nga një dhe vrasjet do të transmetoheshin me video nëse Izraeli synon Gazën pa paralajmërim.

Ushtria Izraelite ka njoftuar sot se trupat e rreth 1550 terroristëve palestinezëve janë gjetur pranë kufirit të Gazës, në territorin izraelit. Ata gjithashtu bënë me dije se kanë arritur që të mbyllin pjesën e Gazës, përmes së cilës ushtarët e Hamasit kaluan në Izraelin jugor dhe bombarduan gjatë natës mbi 200 objektiva.

Numri i të vdekurve palestinezë pas sulmeve izraelite është rritur në 687, deklaroi nga Ministria e Shëndetësisë në Gaza, ndërsa të lënduarit janë 3726.

“Pushtimi izraelit zgjeron sulmet kundër ekipeve mjekësore, objekteve shëndetësore dhe ambulancave, duke rezultuar në vdekjen e 5 punonjësve shëndetësorë dhe plagosjen e 10 të tjerëve me lëndime të ndryshme”, thuhet në një deklaratë të ministrisë të postuar në Facebook. Më shumë se 137,000 palestinezë kanë kërkuar strehim nga sulmet izraelite në strehimoret e OKB-së në Gaza, ndërsa ato thuhet se janë mbushur në kapacitetin 90 %.

Izraeli pritet të nisë një operacion të madh tokësor në Gaza, në përgjigje të sulmeve vdekjeprurëse të së shtunës. Ndërsa, kryeministri Benjamin Netanyahu tha se sulmet ajrore në Gaza ishin “vetëm fillimi”. Ai premtoi se Hamasi do të vuajë pas këtij sulmi të papritur.