Diplomatë të huaj në SPAK, pritet të marrin pjesë në seancën për privatizimin e kompleksit ‘Partizani’

Jamarbër Malltezi së bashku me ndërtuesin Fatmir Bektashi pritet të dalin sot para Gjykatës së Posaçme për t’u njohur me masën e sigurisë, për çështjen e privatizimit të ish-kompleksit Partizani.

Mësohet se në ambientet e SPAK kanë mbërritur edhe diplomatë të huaj. Ata janë diplomatë të Ambasadës Britanike në Tiranë.

Seanca pritet të mbahet rreth orës 13:30 ndërsa gjykata ende nuk ka caktuar seancë për ish-kryeministrin Sali Berisha. Kujtojmë se ndaj Berishës është caktuar “Detyrim paraqitje” dhe “ndalim i daljes jashtë shtetit.

Sipas SPAK, ish-kryeministri Sali Berisha ka kryer korrupsion pasiv në bashkëpunim me Jamarbër Malltezin, bashkëshortin e vajzës së tij, ndërsa ka ndërmarrë veprime konkrete në miratim ligjesh dhe aktet nënligjore për t’i përshtatur sipas nevojave të pesë familjeve pronare në kompleksin sportiv Partizani, ku përfitues ishte drejtpërdrejt edhe dhëndri i tij.