Digjet autobusi në autostradën Tiranë-Elbasan, shtëllungat e tymit mbulojnë vendin

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot, teksa një autobus është përfshirë nga flakët në aksin Tiranë-Elbasan.

Fatmirësisht, në mjet nuk kishte pasagjerë, ndërsa shoferi ka dalë jashtë pa lëndime, teksa nga pamjet shihet se flakët kanë përfshirë të gjithë mjetin. Po ashtu, zjarri ka shkaktuar shtëllunga të mëdha tymi, duke krijuar ndotje në ajër.

Edhe qarkullimi i mjeteve kryhet me vështirësi, pasi një pjesë e aksit është e bllokuar.

Njoftimi i policisë:

Elbasan/Informacion paraprak

Rreth orës 13:30, në autostradën “Tiranë-Elbasan”, në fshatin Dopaj, dyshohet se për shkak të një shkëndije elektrike, ka rënë zjarr në pjesën e pasme të një autobusi në lëvizje, me drejtues shtetasin F. K.. Për pasojë janë shkaktuar vetëm dëme materiale.

Shërbimet e Policisë dhe ata të zjarrfikëses ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për shuarjen e flakëve.

Ndërkaq, grupi hetimor vijon punën për dokumentimin me prova ligjore të shkakut të rënies së zjarrit.