Detaje nga dosja/ Denis Meçe nuk u arrestua nga policia, por u vetëdorëzua, ofroi 10 mln lekë garanci që të mos futej në burg

Detaje të reja janë mësuar në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur në Pogradec, ku 42 vjeçari Egli Proga, baba i dy fëmijëve u dhunua për vdekje nga 29 vjeçari Denis Meçe.

Ky i fundit u akuzua nga policia për “vrasje me dashje”, ndërsa Prokuroria e Korçës e zbuti akuzën ndaj tij në “vrasje nga pakujdesia”.

Ndërkohë mësohet se pas krimit, Denis Meçe ka fjetur në makinë dhe pasi është përmendur ka telefonuar avokatin Eduard Muçi dhe i ka kërkuar për ta shoqëruar në komisariat, ndryshe nga pretendimi i policisë se ai u arrestua.

Në dosjen gjyqësore, zbulohet se avokati i 29 vjeçarit ka kërkuar garanci prej 1 milionë lekë të reja, në mënyrë që klienti i tij të mos futet në burg, por ndaj tij të vendosej një masë më e butë, si ajo e arrestit të shtëpisë. Por kjo kërkesë nuk është pranuar nga gjykata.

Sipas mbrojtjes, arrestimi në flagrance i këtij shtetasi duhet të cilësohet si i ligjshëm, por kërkohet që ndaj këtij shtetasi të caktohet një tjetër masë sigurimi, e ndryshme nga arresti në burg, mbajtur parasysh marzhin e dënimit që parashikon dispozita, rrethanat e kryerjes së veprës penale, mënyrën si ka ndodhur ngjarja, qëndrimin e personit nën hetim, faktin që nuk ka qenë i dënuar më pare, faktin që nuk ekziston mundësia për t’u larguar apo për t’iu fshehur drejtësisë, faktin që nuk ka mundësinë e dëmtimit apo prishjes së provave. Kërkohet nga gjykata që të caktohet si masë sigurimi “arrestin në shtëpi” parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale ose “Garancia pasurore” në shumën 1.000.000 lekë, e cila është një vlerë e konsiderueshme dhe i garanton gjykatës që nëse ky person i fshihet drejtësisë dëmi ekonomik do të jetë tepër i madh”- thuhet në dosje.

Ditën e djeshme pati disa reagime të ndryshme në lidhje me këtë ngjarje. Fillimishit ka qenë drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, i cili në një konferencë për mediat, tha se policia nuk tentoi që ta fshihte ngjarjesn, por ka vepruar ashtu sic duhet.

Edhe kryeministri Edi Rama në dy reagime të ndryshme brenda ditës, tha se policia ka vepruar sic duhet, ndërsa sulmoi mediat, që sipas tij po dezinformojnë.

Por deklaratat e tyre i rrëzoi Prokuroria e Korçës, përmes dy njoftimeve.

Në të parën organi i akuzës sqaronte rrethanat e faktit që kishin çuar në klasifikimin e aktit si ‘vrasje nga pakujdesia’ dhe në njoftimin e dytë tregonte se kishte nisur hetimet për një inspektor policie, i cili sipas tyre, kishte shpërdoruar detyrën në mbledhjen e provave.

Por policia reagoi serish sot duke thënë se inspektori përmbushi të gjitha detyrat funksionale. Sipas policisë, nuk ka asnjë lidhje mes inspektorit të akuzuar dhe hetimit të ngjarjes.