Friedrich Merz është zgjedhur Kancelar i Gjermanisë në përpjekjen e tij të dytë. aA mori 325 vota (minimumi ishte 316), një moment historik i arritur pas votimit në mëngjes, në të cilin përfaqësuesi i CDU u ndal në 310 vota.
Kristian-demokrati 69-vjeçar, i cili fitoi zgjedhjet në shkurt dhe është bashkuar me socialdemokratët për të formuar një qeveri të shumicës, pritej të triumfonte në raundin e parë. Megjithatë ai siguroi shumicën e 630 anëtarëve të Bundestagut vetëm në përpjekjen e tij të dytë të ditës, me 325 vota.
Ndërkohë për kandidaturën e Merz pati 289 vota kundër, një abstenim dhe 3 vota të pavlefshme.
Aleanca CDU/CSU e udhëhequr nga Merzidhe partneri në koalicion, Partia Socialdemokrate (SPD), janë zotuar se do ta ringjallin ekonominë e dobësuar dhe se do ta rindërtojnë ushtrinë në një kohë kur presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, e ka vënë në dyshim të ardhmen e sigurisë dhe lidhjeve tregtare transatlantike.
Merz gjithashtu është zotuar se do ta frenojë emigracionin e parregullt dhe se do ta ndalë rritjen e partisë kundër emigracionit, Alternativa për Gjermaninë (AfD), e cila doli në vend të dytë në zgjedhjet e parakohshme të shkurtit.