Vendimi i Presidentit Donald Trump për të dërguar trupa ushtarake në Los Angeles, mes protestave masive kundër deportimeve, pritet t’i kushtojë taksapaguesve amerikanë 134 milionë dollarë. Kështu deklaroi shefi i përkohshëm i buxhetit në Pentagon, Bryn MacDonnell, gjatë një seance dëgjimore në Kongres.
Sipas MacDonnell, kjo shumë përfshin shpenzimet për udhëtim, strehim dhe ushqim për trupat e vendosura në Kaliforni.
Presidenti Trump ka urdhëruar vendosjen e 4,000 pjesëtarëve të Gardës Kombëtare dhe 700 marinsave në Los Angeles për të ndihmuar forcat vendore të rendit në menaxhimin e protestave, megjithëse guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, dhe kryetarja e bashkisë së Los Angeles, Karen Bass, janë shprehur se ndërhyrja ushtarake nuk është e nevojshme.
Shteti i Kalifornisë ka paditur administratën Trump, duke e akuzuar për shkelje të sovranitetit shtetëror me vendosjen e trupave pa pëlqimin e autoriteteve lokale.
Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth mbrojti vendimin gjatë seancës, duke kritikuar udhëheqësit demokratë të Kalifornisë për dështimin për të ruajtur rendin publik.
“Guvernatori i Kalifornisë ka dështuar të mbrojë popullin e tij, po ashtu edhe kryetarja e bashkisë së Los Angeles. Ndaj Presidenti Trump ka ndërhyrë për të mbrojtur oficerët tanë, dhe Gardistët dhe Marinsat janë krenarë që po e bëjnë këtë detyrë”, deklaroi Hegseth.
Pavarësisht përplasjes me disa ligjvënës demokratë, Hegseth kaloi pa shumë pasoja politike para panelit të zakonshëm të qetë të Komisionit për Buxhetin e Mbrojtjes në Dhomën e Ulët. Ai u përball me pyetje mbi mungesën e një buxheti të plotë të mbrojtjes dhe vendimin për dislokimin e trupave, por u shmang diskutimi për çështje më të ndjeshme, si largimet e papritura të zyrtarëve të lartë ushtarakë apo përdorimi i aplikacionit të koduar Signal për ndarjen e planeve operacionale.
Gjatë dëshmisë, Hegseth u përpoq të paraqesë ndërhyrjen e Trump si një korrigjim të, sipas tij, mangësive të administratës Biden, përfshirë mungesën e investimeve në mbrojtje dhe dështimin për të siguruar kufijtë. Ai gjithashtu theksoi përpjekjet për të eliminuar programet e diversitetit dhe barazisë në Pentagon, ndërsa fajësoi liderët lokalë për nevojën për ndërhyrje ushtarake.
Megjithatë, Hegseth dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, gjenerali Dan Caine, pritet të përballen me më shumë sfida gjatë dy seancave të ardhshme dëgjimore këtë javë, ku do të mbrojnë buxhetin e propozuar nga Presidenti Trump.