Deputeti i PD vetëofrohet si kandidat për zgjedhjet e Tiranës

Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu është vetëofruar për të qenë kandidat i opozitës në zgjedhjet për Bashkinë Tiranë.

Në një intervistë për mediat, Balliu tha se nuk ka marrë një propozim konkret nga Partia Demokratike për këtë kandidaturë, por shtoi se është gati të garoj për të marrë drejtimin e Bashkisë së Tiranës.

“Nuk kam marrë propozim konkret, por nëse e shohin të arsyeshme unë jam gati. Nuk ka të bëjë me Ogertën, nuk është me të përballja, por me sistemin. Përballja është me sistemin”, tha Balliu për “News 24”.

I pyetur për shkarkimin e kryebashkiakut Erion Veliaj nga Këshilli Bashkiak dhe Këshilli i Ministrave, Balliu tha se duhet të ishte bërë më herët.

“Mirë bëri që e shkarkoi Erion Veliajn qeveria. Ne bëmë 46 protesta kundër tij, madje u shkatërroi shtëpitë qytetarëve në Unazë apo te 5 Maji dhe ngazëllehej. Ne e propozuam për shkarkim si opozitë, pse nuk e firmoste Rama? Sepse ishin në marrëveshje me tyre. Rama priste të jepte dorëheqjen, Veliaj nuk e dha dorëheqjen dhe ky e bëri nëpërmjet Këshillit Bashkiak”, komentoi deputeti.