Deputeti i PD me bukë me vete në Kuvend: Luks i shfrenuar për gjykatësit e Kushtetueses, pensionistëve u shtohen 50 lekë në ditë

Deputeti i Partisë Demokratike Dashnor Sula ka shkuar sot në sallën e Kuvendit, duke marrë me vete një bukë si shenjë proteste për atë që sipas tij po i bëhet shoqërisë. Sula solli në vëmendje rrogat e majme për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese ndërsa për pensionistët rritjen e pensioneve me 50 lekë në ditë.

“Një luks i shfrenuar për Gjykatën Kushtetuese e cila thuajse është totalisht nën uzurpimin e qeverisë. Ndërkohë që kryetarja e gjykatës atje do të marrë 8-10 milionë, ndërsa pensionistëve i shtohen 500 lekë (te vjetra) në ditë, kjo është e tmerrshme. Në shenjë proteste do të doja të protestoja për këtë gjendje ku ndodhen prindërit tanë, polarizimi i shoqërisë është i tmerrshëm.

Është e turpshme edhe për mua, që jam deputet i parlamentit, kam atë rrogë aq të lartë dhe e kam kundërshtuar, ndërkohë shtresat në nevojë nuk mbushin dot barkun me bukë”, u shpreh Sula.