Një ngjarje e rëndë ka tronditur sot opinionin publik në Finlandë pasi deputeti Eemeli Peltonen, 30 vjeç, është gjetur i vdekur në ambientet e Parlamentit. Sipas konfirmimeve zyrtare, bëhet fjalë për vetëvrasje.
Ngjarja ndodhi rreth orës 11:00 të paradites, ndërsa autoritetet po zhvillojnë hetimet për të sqaruar rrethanat. Policia ka bërë të ditur se nuk ka dyshime për ndonjë veprim kriminal.
Eemeli Peltonen, përfaqësues i Partisë Social Demokrate (SDP), ishte në mandatin e tij të parë si deputet, pasi u zgjodh në zgjedhjet parlamentare të vitit 2023 me 5,747 vota. Ai ishte gjithashtu anëtar i Komitetit Administrativ dhe Komitetit Ligjor të Kuvendit, si dhe këshilltar bashkiak në qytetin Järvenpää, ku u zgjodh për herë të parë në moshën 18-vjeçare.
Në muajin qershor, Peltonen kishte bërë të ditur se po trajtohej për një sëmundje të veshkave dhe ishte në leje mjekësore. Në një postim në rrjetet sociale, ai kishte treguar se gjendja e tij shëndetësore po përmirësohej dhe ishte në fazë rikuperimi. Megjithatë, ai nuk kishte dhënë detaje të tjera lidhur me problemet e tij shëndetësore apo gjendjen emocionale.
Lajmi për vdekjen e tij ka shkaktuar një valë reagimesh në mbarë vendin. Ish-Kryeministrja Sanna Marin dhe shumë figura të tjera politike shprehën ngushëllime për familjen, kolegët dhe komunitetin që ai përfaqësonte.
“Jam e tronditur dhe e pikëlluar thellësisht nga ky lajm tragjik. Ngushëllimet më të sinqerta për familjen dhe të afërmit e Eemeli Peltonen,” shkroi Marin në rrjetet sociale.