Deputetët e Partisë Demokratike kanë firmosur një kërkesë të përgatitur nga studentët e mjekësisë për të kundërshtuar në Gjykatën Kushtetuese ligjin e Qeverisë që nuk pajisë për 5 vite me diplomë mjekët e rinj.
Lajmin e ka bërë me diej kryetari i Grupit Parlamentar Gazment Bardhi, i cili përmes një postimi në rrjetet sociale thotë se Grupi i PD ka mbështetur kërkesën e studentëve. Janë 30 deputetë ata që kanë firmosur, teksa pritet që tashmë çështja të gjykohet nga gjyqtarët e “Kushtetuese’.
“Grupi Parlamentar i PD ka mbështetur kërkesën e studentëve të mjekësisë për të kundërshtuar në Gjykatën Kushtetutese ligjin që pezullon diplomimin e mjekëve të rinj për 5 vite. Duke respektuar reagimin e studentëve dhe protestën e tyre, pa asnjë ndërhyrje politike, apelojmë edhe njëherë për Qeverinë që të dëgjojë zërin dhe shqetësimin e studentëve dhe ti jap zgjidhje kërkesave të tyre.” – shkruan Bardhi.
Kujtojmë se studentët e mjekësisë nuk kanë marrë pjesë në mësim, duke bojkotuar këtë të fundit që nga nisja e vitit të ri akademik. Ata kanë kërkuar ballafaqim të drejtpërdrejtë me ministren e Arsimit dhe me zyrtarë të qeverisë për të kundërshtuar ligjin që sipas tyre është i padrejtë.


