Dënohen me burgim të përjetshëm vrasësit e kryekomisarit, Artan Cuku

Gjykata e Tiranës dënoi me burg të përjetshëm Bledar Jambellin dhe Kristaq Lecin, të akuzuar për vrasjen e kryekomisarit, Artan Cuku, ngjarje kjo e ndodhur në rrugën e ‘Kosovarëve’ në Tiranë, në vitin 2017.

Vendimi u dha sot nga gjyqtari Gerd Hoxha, duke pranuar kërkesën e Prokurorisë, për të dënuar përjetë Jambellin dhe Lecin. Ndaj tyre rëndojnë veprat penale: ‘Vrasje e punonjësve të policisë së shtetit’ dhe ‘Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit’

Në përfundim të hetimeve, Prokuroria njoftoi se Bledar Jambelli, i cili njihet si një person me rrezikshmëri të madhe shoqërore dhe në ndjekje nga organet hetimore dhe policore prej viteve 2000, është hetuar dhe arrestuar për vrasjen e dy shtetasve me iniciale Sh.M. dhe E. Sh., në periudhën kur Drejtoria e Policisë Vlorë drejtohej nga Artan Cuku.

Por, thekson Prokuroria, gjatë procesit gjyqësor doli i pafajshëm dhe u lirua. Në vitin 2017, Jambelli në shenjë hakmarrjeje përgatiti vrasjen e kryekomisarit Artan Cuku. Për realizuar këtë qëllim, ai lidhi marrëveshje me Kristaq Levin dhe për të realizuar vrasjen takoi edhe Mikel Shallarin, të cilit iu premtua pagesë reth 20.000 euro dhe se do ta merrte në Gjermani pasi të kryente vrasjen, duke e bindur të kryejë krimin. Kristaq Levi e pajisi Shallarin me 2 armë të llojit pistoletë, njëra tipit Zastava dhe tjetra Clock me silenciator, ndërsa vetë u vendos në ndjekje viktimës nga larg duke marrë vëzhgim.

Shallari ishte personi qe ekzekutoi me 8 plumba Artan Cukun afër banesës së tij, i cili ndërroi jetë në vendngjarje.

Shallari u arrestua fill pas krimit dhe u kthyer në një bashkëpunëtor të drejtësisë. Ai është dënuar me 10 vite burg.