“Lufta” brenda Partisë Demokratike ka bërë që opozita shqiptare të jetë e brishtë dhe një “kafshatë” e lehtë për mazhorancën, që prej vitesh ka në dorë çdo pushtet të mundshëm.
Pavarësisht debateve të shumta brenda partisë, nisma e Gazment Bardhit dhe Sali Berishës për të bashkuar sërish deputetët demokratë, zgjoi edhe njëherë frymën e opozitarizmit në Parlament. Deputetët demokratë në mbledhjet e tyre morën disa vendime të rëndësishme, siç ishin kërkesat për ngritjen e Komisioneve Hetimore për koncesionet që kanë grabitur paratë e buxhetit të shtetit.
Por propozimet e opozitës duket se nuk janë në interesin e mazhorancës, që duke kërkuar të mbrojë ministrat e saj, rrëzon një nga një çdo projektligj apo kërkesë për Komision Hetimor të propozuar nga demokratët. Madje këto propozime rrëzohen edhe pa asnjë justifikim, siç ishin rastet e fundit.
Propozimi për ngritjen e Komisionit Hetimor për koncesionet në Shëndetësi nuk u pranua, pasi hetimet mund të nxirrnin zbuluar aferat e ish-ministres Ogerta Manastirliu, siç hetimet e SPAK nxorën grabitjen e 100 milionë dollarëve nëpërmjet koncesionit të sterilizimit.
Një tjetër propozim ishte ai për vjedhjen e të dhënave të sistemit TIMS, por duke parë që hetimet paraprake nxorën emrat e zyrtarëve të shtetit si autorë të kësaj vjedhje, mazhoranca u frikësua t’i shkonte edhe më tej këtij hetimi. I fundit ishte propozimi për ngritjen e Komisionit Hetimor për Parandalimin e Konfliktit të Interesit për Abuzimet me Fondet Publike, që do të hidhte dritë te të tjera abuzime siç ishte rasti i ish-ministres Olta Xhaçka, por që mazhoranca nuk e pranoi.
Por mazhoranca nuk po mjaftohet me kaq, pasi Parlamentin dhe Komisionet Parlamentare i ka kthyer në njëpartiake, me rrëzimin e projektligjeve dhe me përjashtimin e deputetëve demokratë, teksa socialistët, pavarësisht ofendimeve dhe fjalëve në Kuvend, nuk u ëhstë tërhequr asnjë vërejtje, e jo më të pëjashtohen.
Përjashtimi i deputetëve të opozitës, rrëzimi i Komisioneve Hetimore dhe bllokimi i Reformës Zgjedhore dhe moskonsiderimi i asnjë nisme ligjore ka bërë që deputetët e Partisë Demokratike të debatojnë ashpër në Komisionet Parlamentare dhe të braktisin mbledhjet, pasi sipas tyre, këto vendime të mazhorancës konsiderohen si mbyllje të rrugës institucionale për opozitën në Kuvend.
Komsioni i Veprimtarisë Prodhuese shtyu mbledhjen për më shumë se një orë për shkak të mungesës së deputetëve opozitarë, pa arritur që të krijojnë kuorumin. E njëjta situatë është në Komisionin e Ligjeve. Deputetët e opozitës, pasi kanë dëgjuar propozimin e koleges së tyre, Jorida Tabaku, për ligjin e prokurimeve, nismë që është rrëzuar nga mazhoranca, debatuan ashpër me kolegët socialistë, e më pas braktisën mbledhjen.
Por a është kjo demokracia në Parlament, apo mazhoranca po përpiqet me çdo kush që të rikthejë edhe njëherë sistemin njëpartiak, të paktën në Parlament, duke pezulluar deputetët demokratë dhe duke u hequr të drejtën për të marrë vendime, pasi prej vitesh, asnjë propozim i tyre nuk është miratuar, ndërkohë që socialistët kalojnë edhe ligje në dëm të qytetarëve, siç është ai për studentët e Mjekësisë apo për kanabisin.