Vdekja e liderit të opozitës ruse Alexei Navalny vijon të jetë kryefjalë e mediave botërore, teksa të gjithë kanë drejtuar gishtin tek presidenti rus Vladimir Putin, duke e bërë atë përgjegjës.
Ndërkohë ekipi i Alexei Navalny ka dalë me pretendimin se Navalny u vra qëllimisht me urdhër të Putin në prag të një shkëmbimi të burgosurish, në kuadër të të cilit ai mund të lirohej në këmbim të një vrasësi të FSB-së të burgosur në Gjermani.
Në një video në YouTube me titullin “Përse Putini e vrau Navalny tani?” aleatja e ngushtë e liderit të ndjerë opozitar, Maria Pevchikh shprehet se pas muajsh të tërë lobimi për një shkëmbim të të burgosurve që përfshin Navalnyn, “pranverën e vitit të kaluar plani ynë u miratua”.
“Navalny duhej të ishte i lirë në ditët në vijim sepse ne kishim arritur dritën jeshile për shkëmbimin e tij”, shprehet ajo.
“Në fillim të shkurtit, Putinit iu ofrua të shkëmbente oficerin dhe vrasësin e FSB-së, Vadim Krasikov, i cili po vuan dënimin për vrasje në Berlin, me dy shtetas amerikanë dhe me Alexei Navalnyn. Kam marrë konfirmimin se negociatat ishin duke u zhvilluar dhe ishin në fazën përfundimtare në mbrëmjen e 15 shkurtit. Më 16 shkurt, Alexei u vra”, tha Maria Pevchikh.
Pevchikh hyri më tej edhe në detaje, duke shtuar se oligarku rus Roman Abramovich kishte vepruar për këtë qëllim si ndërmjetës mes zyrtarëve perëndimorë dhe Vladimir Putinit. Politico qe përcjell lajmin, thotë se nuk ka qenë në gjendje t`i verifikojë në mënyrë të pavarur këto pretendime.
Gruaja e Navalny ka akuzuar Putin për vrasjen e tij, duke thënë se u helmua me Novichok dhe se trupi i tij nuk po u dorëzohej familjarëve për të zhdukur gjurmët e agjentit nervor.
Ndërkohë në fundjavë, trupi i 47-vjeçarit iu dorëzua nënës së tij por kjo e fundit tha se autoritetet ruse i kishin bërë presion që të bëntë një ceremoni private për varrimin e Navalny.