Debati opozitë-Presidencë për Komisionet Hetimore, Rama “merr në mbrojtje” Begajn

Kryeministri Edi Rama ka reaguar në lidhje me deklaratat e bëra më herët nga kreu i grupit parlamentar të PD Gazment Bardhi, pasi presidenti Bajram Begaj dekretoi ligjin për Komisionet Hetimore.

Në një postim në rrjete sociale, Rama ka “marrë në mbrojtje” Bajram Begajn dhe shkruan se koha politike kur presidenti bashkëudhëhiqte revolucionet imagjinare kundër qeverisë e në dëm të Shqipërisë ka përfunduar.

Rikujtojmë se ndryshimet në ligjin e Komisioneve Hetimore u miratuan vetëm me votat e socialistëve dhe Gazment Bardhi i bëri kërkesë Begajt që ta kthente në Kuvend për rishqyrtim.

Bardhi në një dalje për mediat tha se opozita ka qenë gjithmonë e gatshme për dialog me mazhorancën, ndryshe nga sa ka deklaruar Begaj në njoftimin e bërë publik sot.

Mes të tjerash, Bardhi tha se presidenti Begaj ka humbur shansin të jetë mbi palët dhe i bëri thirrje të ngrihet na lartësinë e detyrës.

Postimi i Ramës:

Koha politike kur Presidenti i Republikës bashkëudhëhiqte revolucionet imagjinare kundër qeverisë e në dëm të Shqipërisë, duke e përdorur Kushtetutën si koktej Molotov ka perënduar me kohë, siç do të mbaroje po njësoj, më shpejt se sa vonë, edhe ora e keqkuptimit të madh të politikës së ditës, mes punës mendore të parlamentarëve dhe aktivitetit fizik të tyre në sallën e Kuvendit të Shqipërisë!

Shqipëria është në një kohë tjetër dhe ky vit është kyç për rritjen e mëtejshme të pagave, investimeve publike e atyre private, të brendshme a të huaja, turizmit që në 2023 arriti rekordin fantastik të 10 milionë vizitorëve nga jashtë, e me radhë, prandaj ky vend s’ka asnjë sekondë për të humbur me askënd që vazhdon me orën e vjetër, duke kërkuar nëpër rrugicat e ngushta të Kuvendit a të zonës rreth tij,  rikthimin e kohës së vdekur.