Debate në Konferencën e Kryetarëve, Bardhi akuza Peleshit: Nëse nuk e drejton dot seancën, lërjani karrigen kryetarit të grupit

Mbledhja e Konferencës së Kryetarëve është shoqëruar me debate të forta mes mazhorancës dhe opozitës.

Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, ka akuzuar kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshin se nuk është i aftë të drejtojë seancën plenare, pasi merr urdhra nga Taulant Balla se kur ta mbyllë Kuvendin.

Ai tha se seanca e datës 9 Tetor është mbyllur padrejtësisht vetëm se deputetët e opozitës po flisnin dhe po këroknin dorëheqjen e ministrave Albana Koçiu dhe Besfort Lamallari për shkak të vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja.

Bardhi ka hedhur akuza edhe ndaj Taulant Ballës, të cilin e ka quajtur “zar i Suel Çelës”, duke i thënë se do të shkojë në burg.

“Ajo çfarë keni bërë me seancën e fundit është shkelje e rregullores dhe e Kushtetutës. Po e citoj këtu: Kërkoi ndërprerjen e seancës për shkak se po merrej fjala për procedurë.
Zoti Peleshi, ju keni marrë përsipër të drejtoni Kuvendin. Nëse Kuvendi drejtohet nga kryetari i grupit, na e thoni, sepse opozita nuk ka vend në një Kuvend që diktohet nga forcat e kartonave. Nuk mund ta mbyllni Kuvendin pse deputetët po flasin. Seanca e datës 9 tetor është mbyllur sepse deputetët po flisnin. E kuptoj që në atë Kuvend ka deputetë që forcën e marrin nga krimi i organizuar dhe mendojnë se mund të mbyllin gojën e të tjerëve. Ta harrojnë! Ne nuk marrim urdhra dhe as nuk diktohemi nga krimi i organizuar. Po e përsëris: ta harrojnë! Nëse ju, zoti Niko Peleshi, nuk e mbani dot atë karrige, lërojani kryetarit të grupit që e keni aty me votat e krimit të organizuar.”, tha Bardhi.