Britania e Madhe po përballet me një krizë të thellë të përdorimit të kokainës, me trafikantët shqiptarë që kanë marrë nën kontroll tregun, duke e kthyer vendin në një nga konsumatorët më të mëdhenj në botë, shkruan Daily Mail në artikullin e saj për mafian shqiptare.
Sipas Agjencisë Kombëtare Kundër Krimit (NCA), bandat fitojnë mbi 4 miliardë paund në vit nga shitja e drogës, me mafia shqiptare që përdor taktika tregtare “në stilin e supermarketit” për të ulur çmimet dhe rritur shpërndarjen.
Pasojat janë dramatike: një ndër to është edhe vdekja e vajzës trevjeçare Louisa Palmisano, e goditur për vdekje nga një shofer nën ndikimin e drogës në Mançester. Vdekjet në aksidente të shkaktuara nga përdorimi i kokainës janë rritur me 164% në më pak se një dekadë.
Shqiptarët thuhet se kanë lidhje të ngushta me kartelet e Amerikës Latine dhe organizatën mafioze italiane ‘Ndrangheta’, duke krijuar një rrjet efikas të trafikut të kokainës në Evropë dhe Mbretërinë e Bashkuar. Emra të njohur përfshijnë Dritan Rexhepin, i njohur si “Mbreti i Kokainës”, i cili udhëhoqi një kartel ndërkombëtar dhe është përgjegjës për trafik droge në vlera miliona paund.
Policia britanike ka intensifikuar përpjekjet me sekuestrime të mëdha droge dhe operacione të fshehta, por ekspertët paralajmërojnë se sa kohë që kërkesa për kokainë mbetet kaq e lartë, tregu do të mbetet i gjallë dhe viktima si Lulu do të jenë vetëm maja e ajsbergut.
Në përpjekje për të frenuar tregtinë, autoritetet britanike kanë vendosur oficerë në Kolumbi dhe Ekuador, por sfida mbetet e madhe. Tregu i kokainës në Britani është tani një sistem i zhvilluar kriminal, i integruar në ekonominë e nëntokës dhe që po lë pasoja të rënda në shoqëri.
Mafia shqiptare që po nxit epideminë e drogës në Britani
Si po e përmbyt narkotrafiku nga Europa Lindore Mbretërinë e Bashkuar me kokainë prej 4 miliardë paundësh dhe pasojat zemërthyese
E vrarë para syve të nënës së saj gjatë një shëtitjeje në mëngjes nëpër Manchester, Louisa “Lulu” Palmisano, vetëm tre vjeç, është një nga viktimat më të reja të epidemisë së drogës që po godet Britaninë.
Vogëlushja u përplas nga një furgon i drejtuar nga Rawal Rehman, i cili kishte të paktën 20 gjurmë të konsumit të kokainës në sistemin e tij, pasi kishte vizituar dy sallone masazhi. I dënuar këtë javë me 12 vjet burg, korrieri 36-vjeçar përfaqëson fytyrën e errët të një kërcënimi në rritje: përdorimi i drogës në drejtimin e automjeteve, që ka çuar në një rritje prej 164% të aksidenteve fatale brenda më pak se një dekade.
Kokaina tashmë rivalizon kanabisin si droga më e zakonshme në Britani. Ajo është më e lirë dhe më e fortë se kurrë më parë.
Pas kësaj përmbytjeje të drogës qëndron mafia shqiptare. Me një qasje “në stilin e supermarketit” – duke blerë me shumicë për çmime më të ulëta dhe duke shitur më lirë – ata kanë marrë kontrollin e tregut të kokainës në Britani.
Britania thith rreth 117 tonë kokainë në vit dhe ka normën e dytë më të lartë të konsumit në botë pas Australisë. Bandat përfitojnë rreth 4 miliardë paund në vit nga kjo tregti, sipas Agjencisë Kombëtare të Krimit (NCA), duke e bërë atë një biznes më fitimprurës sesa shumë industri legale.
Profesori Ian Hamilton, ekspert në varësinë nga substancat në Universitetin e York-ut, thotë se përhapja e kokainës ka sjellë rritje të drejtimit nën ndikim dhe ka ndryshuar profilin e përdoruesit. Ajo nuk është më një drogë elitare – tani përdoret nga të gjitha shtresat shoqërore.
“Kokaina është më e fuqishme dhe më e përballueshme se kurrë më parë”, thotë ai. “Njerëzit mendojnë se mund të drejtojnë pasi efekti kalon shpejt, por reagimet e tyre janë ende të ngadalta dhe mund të jenë të rrezikshëm në timon.”
Kultura e konsumit të tepërt të alkoolit në Britani ndihmon në përhapjen e kokainës, pasi efekti stimulues i saj i ndihmon njerëzit të festojnë më gjatë. Por pasojat janë të rënda: vetëm në vitin 2023, 1,118 persona humbën jetën nga përdorimi i kokainës – një rritje prej 30% nga një vit më parë.
Sipas NCA-së, kokaina po nxit gjithashtu dhunën në familje dhe konfliktet mes bandave, që shpesh çojnë në goditje me thikë, rrëmbime dhe vrasje. Sipas policisë britanike, mafia shqiptare ka vendosur lidhje direkte me kartelet e Amerikës Latine, duke eliminuar ndërmjetësit dhe siguruar çmime më të ulëta për sasi më të mëdha droge.
Shqiptarët kanë krijuar gjithashtu lidhje të ngushta me organizatën mafioze italiane ‘Ndrangheta’, që dominon tregun e kokainës në Europën kontinentale. Ata janë të njohur për profesionalizmin dhe besueshmërinë në rrjetet kriminale.
Sipas Hamiltonit, përhapja e kokainës është pjesë e një strategjie të mirëfilltë të krimit të organizuar: të bëjnë drogën më tërheqëse, më të pastër dhe më të lirë për ta kthyer atë në produkt masiv.
“Bandat funksionojnë si supermarketet – ata preferojnë të shesin shumë për pak fitim se sa pak për fitim të madh,” shpjegon ai.
Në burimin e problemit – Amerikën e Jugut – presioni për zhdukjen e plantacioneve të kokës ka rënë. “Nën presidencën e Bushit, kjo ishte prioritet. Tani, me Biden dhe Trump, fokusi është te emigracioni,” thotë ai.
Edhe pse bosët e mëdhenj të drogës shpesh qëndrojnë në hije, disa janë bërë të famshëm. Dritan Rexhepi, i njohur si “Mbreti i Kokainës”, u ekstradua më në fund në Shqipëri në janar pas 27 vitesh në arrati. Ai është i lidhur me një rrjet ndërkombëtar droge dhe dyshohet për vrasjen e dy policëve shqiptarë në vitin 1999.
Por shqiptarët nuk janë të vetmit në këtë treg. Një nga trafikantët më të kërkuar të Britanisë ishte Jamie “Njeriu i Akullit” Stevenson, i cili trafikoi kokainë me vlerë 76 milionë paund të fshehur në kuti me banane nga Ekuadori. Ai u arrestua në Holandë në vitin 2022 dhe u dënua me 20 vjet burg në vitin 2024.
Në vitin 2021, policia zbuloi 2.3 ton kokainë me vlerë 186 milionë paund në një anije mallrash në Portsmouth, të fshehur mes frutave. Me një operacion të fshehtë, ata e zëvendësuan drogën me fruta dhe arrestuan katër anëtarë të bandës në Londër, duke gjetur armë dhe 33 kg kokainë të fshehur në kuzhinë.
Vitin e kaluar, shqiptarët Erik Muci, Bruno Kuci dhe Olsi Ebeja u dënuan me gjithsej mbi 70 vjet burg për rolet e tyre në këtë rrjet.
Trafikantët përdorin gjithashtu metoda të sofistikuara si nëndetëse dhe aeroplanë të vegjël për të transportuar drogën. Një bandë e burgosur këtë vit fluturonte kokainë nga Franca në Britani duke shmangur radarët. Droga fshihej në një lavazh makinash në fshatin Spellbrook të Hertfordshire, pa dijeninë e banorëve vendas.
Pavarësisht përmasës së problemit, autoritetet britanike po ndërmarrin masa. Vetëm në vitin e kaluar, u sekuestruan mbi 26 ton kokainë – një rritje prej 75% krahasuar me vitin 2023. Britania ka nisur të stacionojë oficerë në Kolumbi dhe Ekuador për të luftuar trafikun në burim.
Megjithatë, tregtia mbetet aktive dhe e fuqishme, me pasojat e saj tragjike që ndihen çdo ditë – si vdekja zemërthyese e Louisa Palmisanos, një kujtesë e hidhur për koston njerëzore të këtij fenomeni.