Ç’pritet të ndodhë pas rikonfirmimit të Putinit në pushtet

Nga Lorenzo Piccioli “Formiche.net”

Një rikonfirmim gati i sigurt i Vladimir Putinit, që u rizgjodh president i Federatës Ruse deri në vitin 2030, me afro 87 për qind të votave. Një zgjedhje, e cila u karakterizua megjithatë edhe nga dukuritë e “rezistencës civile” brenda dhe jashtë vendit. Në një interviste për Formiche.net, Marco Di Liddo, drejtor i Centro Studi Internazionali, parashikon se çfarë pritet të ndodhë tani në Rusi, por edhe me luftën në Ukrainë.

Ku mendoni se duhet vendosur fokusi për të kuptuar dinamikën më të rëndësishme në këto zgjedhje?

Shifrat janë padyshim mbresëlënëse. Burokratët bënë atë që iu kërkua, dhe dolën me ato rezultate spektakolare. Vëmendja ndaj detajeve ishte minimale. Për mendimin tim, duhet reflektuar mbi faktin se pavarësisht klimës në vend, një numër i caktuar njerëzish, jo domosdoshmërisht të organizuar, por edhe në nivel iniciativash spontane, donin ende të dërgonin një mesazh kundërshtues.

Videot, radhët para qendrave të votimit, deklaratat në rrjetet sociale, sulmi me koktej molotovi në një qendër votimi në Shën Petersburg dhe spërkatjet me bojë. Edhe pse kishin një shtrirje shumë të kufizuar, këto ngjarje dërguan një sinjal:që vdekja e Navalnit nuk e ka vrarë shpirtin e qytetarëve rusë, të cilët duan të vazhdojnë të luftojnë për një vend më të lirë dhe më transparent.

Ky është sinjali që duhet vënë në dukje:njeriu u vra, por ideja e tij vazhdon të mbijetojë. Dhe Putini do të duhet të përballet me këtë në të ardhmen. Le të jemi të qartë mbi diçka:Në këtë moment, kjo nuk është për të një kërcënim sistematik. Por mbetet një çështje që ekziston.

Një çështje që mund të përballohet nga Cari i rikonfirmuar në detyrë me një forcim të shtypjes ndaj çdo zëri kundër tij?

E kam të vështirë të imagjinoj një goditje edhe më të egër ndaj disidencës sesa ajo që po shohim tashmë. Hapi tjetër, do të ishte krijimi i një shteti policor të krahasueshëm me atë të faqeve më të errëta të historisë sovjetike. Shtypja e disidencës, është tashmë më se e fortë në këtë moment, dhe hapi tjetër do të ishin spastrimet e tipit stalinist. Nuk e di nëse Putin do të shkojë aq larg, edhe sepse të paktën për momentin nuk ka nevojë.

Tani që ka përfunduar periudha e zgjedhjeve, a mund t’i ketë Putin duart të lira për të çuar përpara masat jo-popullore, siç është një raund i ri mobilizimi ushtarak?

Nuk e besoj. Për sa i përket mobilizimit, ai e zgjidhi problemin duke zëvendësuar një mobilizim masiv në bllok, me përshkallëzimin e fushatës së rekrutimit vullnetar. Duke kaluar nga 300 mijë burra që do të thirreshin nën armë menjëherë, në një fluks të vazhdueshëm prej 5 apo 10 mijë burrash në muaj të rekrutuar në një mënyrë më të matur.

Si? Duke përdorur më shumë stimuj materialë si paga më të mira, premtime për pagesa më të larta për familjet në rast plagosjesh apo vdekjesh në luftime etj. Në përgjithësi, unë besoj se këto zgjedhje farsë iu deshën vetëm për t’u përpjekur të bashkojë më tej frontin e brendshëm, dhe për ta bërë të qartë se nuk ka alternativa ndaj tij, si dhe për të konfirmuar linjën e tij politike.

Domethënë për t’i treguar frontit të brendshëm dhe atij ndërkombëtar, se njerëzit janë në anën e tij, edhe kur flet se do t’i shkojë deri në fund nëse është e nevojshme, edhe kur flet me një lehtësi të frikshme mbi rrezikun e përdorimit të armeve bërthamore. Këto nuk janë deklarata të një njeriu të vetëm, por të një njeriu që të paktën në letër gëzon 80 për qind të mbështetjes popullore. Dhe në lojën e madhe të komunikimit, e gjitha kjo ka rëndësinë e saj.

Pas vdekjes së Navalny-t, a e ka gjetur opozita e brendshme linjën e saj të veprimit?

Mungon ende një figurë që të jetë në gjendje t’i bëjë bashkë të gjitha fraksionet. Dhe kjo edhe sepse opozita ruse është një opozitë shumë e larmishme, tradicionalisht e fragmentuar, me orientime ideologjike shumë të ndryshme brenda saj.

Navalny kishte arritur të bashkonte segmente të ndryshme, duke lënë mënjanë për momentin problemin e orientimit ideologjik, dhe duke u fokusuar në aspekte të tërthorta si korrupsioni dhe transparenca. Kjo qasje kishte si anët e saj pozitive por edhe negative. Navalni nuk arriti asnjëherë të paraqiste një propozim politik alternativ dhe konstruktiv.

Ai ishte shumë i fortë në ‘pars destruens’, duke promovuar luftën kundër shtetit të korruptuar, por më pak i fortë në ‘pars cotruens’, pra në parashtrimin e asaj që do të bënte më pas, se çfarë do të ishte Rusia që imagjinonte. Ne e kujtojmë Navalnin për luftën e tij kundër korrupsionit dhe për lirinë e mendimit, dhe shumë më pak për ofertën politike që ai propozoi.

Tani duhet gjetur një kundërshtar të ri, që të ketë të njëjtën forcë si ai. Ndoshta bashkëshortja e Navalnit mund të jetë një kandidate e hershme, duke përfituar edhe nga martirizimi i burrit të saj. Por mbetet të presim dhe të shohim, nëse ajo do të jetë në gjendje të bëjë atë që bëri i shoqi. Por për momentin unë nuk shoh një lider që të dallohet mbi të tjerët.

A do të ndikojë në ndonjë lloj mënyre mbi ecurinë e konfliktit mbajtja e këtyre zgjedhjeve, por edhe rezultati i tyre?

Gjithçka do të vazhdojë normalisht. Sepse në këtë moment historik, është lufta ajo që ndikon më shumë në frontin e brendshëm dhe jo e kundërta. Momenti i vuajtjes së brendshme maksimale për Putinin, përkoi me momentin më të keq të luftës:Prigozhin bëri atë që pamë të gjithë, kur situata e forcave ruse në front ishte në gjendjen më të keqe të mundshme.

Tani rusët po jetojnë në një situatë përgjithësisht të pranueshme, edhe pse të pranueshme në negativitetin e saj, pasi konflikti ka vazhduar për një kohë të gjatë, dhe nuk ka shkuar siç pritej, madje rrezikoi humbjen rreth 1 vit më parë. Megjithatë, tani duket se si faktorët politikë ashtu edhe ata ushtarakë e favorizojnë Kremlinin, që do të vazhdojë të sillet siç ka bërë javët e fundit. Pra nuk ka asgjë të re në Frontin e Lindjes.