Çmimet në Shqipëri të larta që nga fillimi i luftës në Ukrainë/ Guvernatori Sejko: Në vitin 2024 do të kemi rënie të inflacionit

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko ka deklaruar se në vitin 2024 do të kemi një rënie të inflacionit në vend, që nënkupton edhe një rënie të çmimeve të produkteve.

Pas nisjes së  luftës në Ukrainë, një vit e gjysmë më parë, vendet e Bashkimit Europian u përballën me rritje të inflacionit, në nivele rekord.

Por dalëngadalë këtë vit rënia e inflacionit është ndierë në të gjitha vendet e BE, ndërsa në Shqipëri është më e ngadaltë.

Megjithatë sipas guvernatorit Sejko, inflacioni do të jetë në objektiv për vitin që do të vijë. 

Gjatë vizitës me shefen e misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) në Shqipëri,  Anke Weber, Sejko deklaroi se synohet garantim i stabilitetit të çmime ndërsa bëri të ditur masat e marra nga institucioni që ai drejton, për të ruajtur e forcuar shëndetin e sektorit bankar dhe stabilitetin financiar të vendit.

Sipas guvernatorit,  aktiviteti ekonomik ka ardhur në rritje, duke gjeneruar rritje të punësimit e të pagave dhe duke ruajtur shëndetin e bilanceve financiare të familjeve shqiptare dhe të sektorit privat. Një rol të rëndësishëm në këtë drejtim ka pasur sezoni pozitiv turistik, i cili duket se do të jetë një realitet i ri ekonomik në të ardhmen, dhe nivelet e larta të investimeve të huaja direkte.