Lufta e ashpër që po zhvillohet mes Izraelit dhe organizatës së Hamasit me qendër në Palestinë deri më tani i ka marrë jetën më shumë se 1500 personave, ka lënë mijëra të plagosur dhe qindra mijëra njerëz janë larguar nga banesat e tyre për shkak të bombardimeve të vazhdueshme.
Lufta nisi pas sulmit që organizata e Hamasit bëri mbi qytetet në jug të Izraelit, ku rreth 5000 raketa goditën njerëz të pafajshëm, teksa edhe Izraeli iu përgjigj në të njëjtën mënyrë, ndërkohë që arriti të marrë kontrollin e kufirit të Rripit të Gazës.
Por çfarë është HAMAS-i?
Hamasi është një organizatë islamike me një krah ushtarak që u krijua në vitin 1987, duke dalë nga Vëllazëria Myslimane, një grup islamik sunit që u themelua në fund të viteve 1920 në Egjipt.
Fjala “Hamas” është në vetvete një akronim për “Harakat Al-Muqawama Al-Islamia” – arabisht për Lëvizjen e Rezistencës Islame.
Grupi, si shumica e fraksioneve dhe partive politike palestineze, këmbëngul se Izraeli është një fuqi pushtuese dhe se po përpiqet të çlirojë territoret palestineze. Ai e konsideron Izraelin një shtet të paligjshëm.
Refuzimi i saj për të njohur Izraelin është një arsye pse ajo ka refuzuar bisedimet e paqes në të kaluarën. Në vitin 1993, ajo kundërshtoi Marrëveshjen e Oslos, një pakt paqeje midis Izraelit dhe Organizatës për Çlirimin e Palestinës (PLO).
Grupi e paraqet veten si një alternativë ndaj Autoritetit Palestinez (PA), i cili ka njohur Izraelin dhe është angazhuar në iniciativa të shumta të dështuara paqeje me të. PA udhëhiqet sot nga Mahmoud Abbas dhe është e vendosur në Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli.
Hamasi kontrollon Rripin e Gazës, që është shtëpia e rreth 2 milionë palestinezëve dhe është shpesh vendi i viktimave civile gjatë luftimeve midis militantëve dhe forcave izraelite.
Hamasi ndër vite ka marrë përsipër shumë sulme ndaj Izraelit dhe është cilësuar si organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe Izraeli. Izraeli akuzon armikun e tij kryesor, Iranin, për mbështetjen e Hamasit.
Si lindi konflikti Izrael – Palestinë?
Tensionet midis Izraelit dhe palestinezëve kanë ekzistuar që para themelimit të kombit në vitin 1948. Mijëra njerëz nga të dyja palët janë vrarë dhe shumë të tjerë janë plagosur në konfliktin e gjatë që vijon mes dy vendeve gjatë dekadave të fundit.
Numri i palestinezëve militantë dhe civilë të vrarë në Bregun Perëndimor të pushtuar nga forcat izraelite është në nivelin më të lartë në gati dy dekada. E njëjta gjë është edhe për izraelitët dhe të huajt, shumica prej tyre civilë të vrarë në sulmet palestineze.
Izraeli dhe grupi militant Hamasi kanë qenë të përfshirë në konflikt të armatosur që daton që nga Intifada e Parë Palestineze e vitit 1987, ose kryengritja kundër pushtimit izraelit të Rripit të Gazës dhe Bregut Perëndimor.
Izraeli pushtoi Gazën nga Egjipti në një luftë të vitit 1967, më pas u tërhoq në 2005. Territori i vogël, shtëpia e rreth 2 milionë palestinezëve ra nën kontrollin e Hamasit në 2007 pas një lufte të shkurtër civile me Fatahun, një fraksion rival palestinez që është “shtylla kurrizore” e Autoriteti Palestinez.
Pasi Hamasi mori kontrollin e Gazës, Izraeli dhe Egjipti vendosën një rrethim të rreptë në territor, i cili është në vazhdim. Izraeli gjithashtu mban një bllokadë ajrore dhe detare në Gaza.
Para operacionit të së shtunës, lufta e fundit midis Hamasit dhe Izraelit ishte në vitin 2021, e cila zgjati për 11 ditë dhe vrau të paktën 250 njerëz në Gaza dhe 13 në Izrael.